Analizat e ADN-së kanë vërtetuar se Ted Bundy, vrasësi serik amerikan, ishte përgjegjës për vrasjen e 17-vjeçares Laura Ann Aime, e cila u zhduk në vitin 1974 në Utah.
Ky rast, që ka mbetur i pazbardhur për më shumë se pesë dekada, është mbyllur zyrtarisht nga autoritetet amerikane.
Aime u zhduk natën e 31 tetorit 1974, pasi kishte dalë e vetme nga një festë për të shkuar në një dyqan.
Trupi i saj u gjet disa javë më vonë, në Ditën e Falënderimeve, nga dy studentë pranë një rruge në kanionin American Fork.
Që në fillim, hetuesit kishin dyshime se vrasja mund të kishte lidhje me Bundyn, pasi mënyra e sulmit përputhej me atë të krimeve të tjera të tij.
Megjithatë, provat e disponueshme në atë kohë nuk ishin të mjaftueshme për ta mbyllur rastin, sipas burimeve.
Para ekzekutimit të tij në vitin 1989, Bundy kishte pranuar përgjegjësinë për vdekjen e Aimes, por nuk kishte dhënë detaje të mjaftueshme për të konfirmuar përfshirjen e tij.
Për këtë arsye, autoritetet e mbajtën rastin të hapur.
Përparimet në teknologjinë mjekoligjore lejuan rishqyrtimin e provave të ruajtura.
Analizat e reja të ADN-së, që u kryen nga ekspertët mjekoligjorë në Utah, konfirmuan përfundimisht lidhjen e Bundyt me vrasjen.
Ted Bundy njihet si një nga vrasësit serialë më famëkeq në historinë e Shteteve të Bashkuara.
Ai u arrestua në vitin 1978 dhe pranoi se kishte vrarë 36 gra të reja, megjithëse dyshohet se numri i viktimave të tij mund të ketë qenë më i lartë.
