Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF) ka shprehur tronditjen e tij për vrasjen e Arlinda Zekajt në Pejë, duke kërkuar një hetim të plotë dhe përgjegjësi institucionale për rrethanat e këtij rasti.
Në reagimin e tij, KOMF thekson se Arlinda kishte kërkuar ndihmë nga institucionet dhe kishte denoncuar dhunën, ndërsa ishte përpjekur të mbronte të drejtat e saj dhe të qëndronte pranë fëmijës së saj.
Sipas KOMF-it, ndonëse gjykata kishte vendosur që kujdesi për fëmijën t’i besohej Arlindës, ajo po përballej me pengesa në ushtrimin e të drejtave të saj si nënë.
Organizata vlerëson se rasti ngre shqetësime serioze për funksionimin e mekanizmave institucionalë të mbrojtjes, përfshirë Policinë, Prokurorinë, Gjykatën dhe Qendrën për Punë Sociale.
KOMF kërkon një hetim të menjëhershëm, të pavarur dhe të plotë të të gjitha rrethanave, si dhe llogaridhënie për çdo shkelje apo neglizhencë që mund të konstatohet.
Po ashtu, kërkohet që fëmijës së Arlindës t’i sigurohen mbrojtje e menjëhershme, mbështetje psikologjike dhe përkujdesje e sigurt, duke garantuar interesin më të mirë dhe privatësinë e tij. “Ky rast nuk duhet të mbyllet me deklarata ngushëllimi.
Kërkojmë zbardhje të plotë, përgjegjësi konkrete dhe mbrojtje të qëndrueshme për fëmijën”, thuhet në reagimin e KOMF-it.
Në fund, organizata thekson se dhuna ndaj grave është njëkohësisht çështje e sigurisë dhe e të drejtave të fëmijëve, duke bërë thirrje për forcimin e mekanizmave të mbrojtjes dhe zbatimin efektiv të vendimeve gjyqësore.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info
