Këngëtarja Dafina Zeqiri ka shprehur shqetësimin e saj pas rastit tragjik të Arlinda Sylaj – Zekajt, duke ndarë përvojat e shumë grave që pretendojnë se kanë kërkuar ndihmë nga institucionet për shkak të dhunës, por nuk kanë gjetur mbështetje.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, artistja ka ndarë se reagimi i saj për Arlindën ka inkurajuar shumë gra të shkruajnë privatisht dhe t’i tregojnë për rastet e tyre.
Disa prej tyre i kanë dërguar edhe dokumente që lidhen me denoncimet në Policinë e Kosovës.
Dafina ka bërë të ditur se këto gra kanë raportuar se janë paraqitur disa herë në polici për ndihmë për dhunë fizike dhe abuzim nga partnerët, por, sipas mesazheve që ajo ka pranuar, nuk kanë marrë mbështetje të mjaftueshme.
Këngëtarja e ka cilësuar këtë situatë si të papranueshme, duke kërkuar që institucionet përgjegjëse t’i trajtojnë denoncimet me seriozitet dhe të kuptojnë peshën e përgjegjësisë që kanë në lidhje me sigurinë e qytetarëve.
Në reagimin e saj, ajo ka kundërshtuar edhe tendencën për ta konsideruar dhunën në familje si një çështje private që duhet të mbetet brenda shtëpisë.
Sipas Dafinës, rastet e tilla nuk mund të justifikohen si probleme private, pasi bëhet fjalë për dhunë dhe vepra që kërkojnë trajtim serioz.
Përveç kërkesës për reagim institucional, artistja ka vënë në pah edhe rëndësinë e edukimit të djemve që në fëmijëri, duke theksuar se respekti ndaj grave duhet të mësohet dhe të kultivohet që nga familja.
Burimi origjinal i informacionit: telegrafi .com
