Aktivisti politik Bardhyl Mahmuti ka shprehur mendimin e tij pas humbjes së Aleksandar Vuçiqit në zgjedhjet parlamentare në Serbi, duke theksuar se ndryshimi i pushtetit nuk do të thotë domosdoshmërisht demokratizim. “Humbja e zgjedhjeve e Goebbelsit të Ballkanit nuk do të thotë denazifikim i Serbisë,” ka shkruar Mahmuti në një postim.
Ai ka theksuar se në këto zgjedhje humbi, ashtu siç e quan ai, “Ndërmarrja Kriminale e Përbashkët Serbe e Aleksandar Vuçiqit, Ivica Daçiqit, Aleksandar Vulinit, Milan Radoiçiq dhe kompania e tyre”.
Megjithatë, Mahmuti ka paralajmëruar se humbja e pushtetit nga Vuçiqi nuk duhet të interpretohet automatikisht si një ndryshim në qëndrimet politike dhe shoqërore në Serbi. “Mirëpo nuk duhet të harrojmë se përtej spekulimeve për atësinë e Aleksandar Vuçiqit, në gojën e bartësve të protestave dyvjeçare dhe protestuesve në Serbi ‘shqiptarët’ ishin sinonim i së keqes, prandaj slogani ‘ACO SIPTARE’ përdorej si sharja më e rëndë që ia bënin Aleksandar Vuçiqit – Goebbelsit të Ballkanit.” Sipas tij, për të vlerësuar demokratizimin e një vendi, nuk mjafton vetëm respektimi i procedurave për ndërrimin e drejtuesve institucional, por duhet të vlerësohet edhe shkalla e zbatimit të vlerave demokratike. “Qasja ndaj krimit të gjenocidit në Kosovë, hapja e arkivave, ndriçimi i fatit të të zhdukurve me forcë gjatë luftës së fundit dhe njohja e realitetit të pavarësisë së Kosovës janë kritere vlerësimi nëse pas zgjedhjeve të 25 tetorit, Serbia do të hapë një kapitull të ri në marrëdhëniet e saj me shtetet e Ballkanit.” Burimi origjinal i informacionit: zeri .info
