Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, njoftoi se sot në orën 16:00 do të mbahet një seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës për rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës.
LVV-ja do të propozojë formimin e një komisioni hetimor parlamentar për të shqyrtuar përgjegjësitë në të gjitha hallkat institucionale.
Nagavci theksoi se të gjithë ata që kanë pasur përgjegjësi për mosreagimin ndaj kërkesave të Zekajt për drejtësi dhe siguri duhet të mbajnë përgjegjësi.
Ajo nënvizoi se hetimi parlamentar ka si qëllim edhe parandalimin e rasteve të ngjashme. “Përveç kësaj, më lejoni që të adresohem shkurtimisht, pasi disa prej jush kanë shfaqur interesim për rastin e fundit tragjik të vrasjes së tashmë të ndjerës Arlinda Zekaj në Vitomericë të Pejës.
Ne jo vetëm që e dënojmë këtë akt, por si grup parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, si deputetë dhe si qytetarë, besojmë se çdokush që ka qenë në zinxhirin e përgjegjësisë, pra udhëheqës, duhet të mbajë përgjegjësi për mospërgjegjësinë ndaj kërkesës së Arlindës për drejtësi dhe siguri.
Në këtë drejtim, kemi thirrur seancën e jashtëzakonshme për sot në ora 16:00, ku do të propozojmë, përveç të tjerash, edhe formimin e një komisioni hetimor parlamentar që do të shqyrtojë dhe hetojë në të gjitha hallkat personat përgjegjës.
Jo vetëm për të adresuar më të drejtë rastin tragjik dhe kriminal të vrasjes së tashmë të ndjerës Arlinda Zekaj, por mbi të gjitha për të parandalimin e rasteve të ngjashme.
Janë raste të shumta që po na trondisin si shoqëri,” tha Nagavci pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info
