Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka organizuar një protestë kombëtare për të mërkurën, më 16:00, pas vrasjes tragjike të Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës.
Në një njoftim për media, ata kanë bërë të ditur se protesta me temën “Vrasja e grave të trajtohet si urgjencë kombëtare” do të mbahet në sheshin “Zahir Pajaziti”.
Në thirrjen për protestë, theksohet se kjo javë është një thirrje e fundit për një revoltë kombëtare me qëllim mbrojtjen e jetës së grave në Kosovë. “Duhet t’i lëmë shtëpitë, punët, klasat e mësimit për t’i mbushur sheshet dhe dyert e institucioneve që po shpërfillin totalisht jetën dhe sigurinë e grave në çdo cep të Kosovës.
Nuk mund të vazhdojmë të jetojmë një normalitet të sforcuar kur gratë po dhunohen, rrihen dhe vriten para syve tanë,” theksohet në njoftim.
Vrasja e Arlinda Zekajt, e cila u ekzekutua me sëpatë nga kunati i saj, është një alarm i qartë për luftën që iu është shpallur grave.
Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka shprehur se Arlinda kishte kërkuar ndihmë nga një shtet që, sipas tyre, është shndërruar për vite me radhë në bashkëdoras në vrasjen e grave. “Sikurse rastet e tjera të femicidit, kjo vrasje ishte paralajmëruar nga e ndjera, e cila kishte kërkuar ndihmë nga një shtet që është shndërruar për vite me radhë në bashkëdoras në vrasjen e grave.
Arlinda Zekaj u vra me ndërmjetësimin e shtetit, i cili nuk iu beson grave, i përbuz, i neglizhon ato dhe vazhdon t’i shohë kryesisht si prona të burrave.
Na është treguar vazhdimisht që ky shtet nuk është edhe shtet për gratë.
Na është treguar po ashtu që kjo shoqëri i urren dhe i dhunon gratë deri t’ua marrë frymën e fundit.
Ne e kemi mësuar këtë përgjakshëm.
E kemi mësuar dhunshëm se ne luftën tonë duhet ta bëjmë në disa fronte, si kundrejt shoqërisë patriarkale, ashtu edhe ndaj patriarkisë shtetërore që po na mban nën frikë, terror e dhunë, e disa prej nesh edhe po ua merr jetën me sakicë, plumb a grushte,” thuhet në njoftim.
Në thirrjen për protestë theksohet se nga e mërkura e në ditët në vijim, protestuesit do të dalin në rrugë dhe do të bllokojnë çdo institucion. “Andaj, të mërkurën, të enjten, të premten e ditët në vijim, ne do të dalim rrugëve e do të bllokojmë institucione, sepse është momenti i fundit që ky shtet të japë llogari.
Nisemi prej sheshit Zahir Pajaziti, te Ministria e Drejtësisë, Këshilli Prokurorial i Kosovës, Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Policia e deri te Qeveria.
Kërkojmë organizim e solidarizim kombëtar.
Për siguri e liri për gratë e gjalla e drejtësi për gratë e vrara.
Na u bashkoni,” përfundon njoftimi.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info
