Avokati i njohur serb, Çedomir Stojkoviq, ka bërë thirrje për autoritetet e Kosovës, Malit të Zi dhe Bosnjë-Hercegovinës që të fillojnë hetimet në lidhje me dyshimet për blerje votash nga Partia Progresive Serbe (SNS) e Aleksandar Vuçiqit.
Thirrja e tij erdhi pas raportimeve që sugjerojnë se partia e Vuçiqit ka ofruar deri në 100 euro për votuesit serbë për t’u angazhuar në zgjedhje dhe për të votuar në favor të SNS-së.
Stojkoviq kërkoi që institucionet e këtyre tri vendeve fqinjë të hetojnë nëse qytetarë serbë që jetojnë në to janë përfshirë në skema të organizuara të blerjes së votave dhe transportimit të votuesve drejt Serbisë. “Sa po u paguan Vuçiq serbëve nga këto vende për të udhëtuar drejt Serbisë dhe për të votuar për SNS-në?
Kush po i paguan këta autobusë, me çfarë fondesh dhe nga vijnë ato?
Nëpërmjet kujt po shpërndahen këto para?
Cilët ndërmjetës janë të përfshirë dhe a janë këta ndërmjetës politikanë nga shtetet përkatëse?”, ka pyetur ai.
Avokati serb gjithashtu ngriti dyshime mbi origjinën e mjeteve financiare të mundshme që janë përdorur për këto aktivitete, duke kërkuar të hetohet nëse ato vijnë nga fondet publike apo nga rrjete të krimit të organizuar. “Cili është burimi i këtyre parave?
A bëhet fjalë për fonde të vjedhura nga qytetarët e Serbisë, apo ato vijnë nga kartelet e drogës – kartele të cilat, sipas komunikimeve në ‘Sky’, bashkëpunojnë me strukturat politike të Vuçiqit?”, ka deklaruar ai.
Sipas Stojkoviqit, nisja e hetimeve nga Kosova, Mali i Zi dhe Bosnjë-Hercegovina do të ndihmonte në forcimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe në zbardhjen e dyshimeve mbi manipulimet zgjedhore.
Ai pretendon se hetime të tilla pengohen nga Vuçiqi brenda Serbisë, prandaj kërkon angazhimin e institucioneve të vendeve fqinje. “Qytetarët e Serbisë do të ishin mirënjohës të mësonin – dhe të shihnin prova – se si po shpenzohen këto fonde të keqpërdorura, si dhe në çfarë mase janë të përfshira kartelet e drogës në manipulimet zgjedhore përmes blerjes së votave në vende të tjera”, ka theksuar ai.
Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e identifikimit të personave që mund të jenë përfshirë në organizimin e transportit të votuesve, shpërndarjen e parave dhe ushtrimin e presionit ndaj qytetarëve për të votuar. “Është me rëndësi të veçantë për ne të identifikojmë se cilët serbë nga këto vende janë të përfshirë në detyrim zgjedhor, korrupsion dhe manipulim – pasi çdo veprim i tillë përbën një sulm ndaj qytetarëve të Serbisë”, ka deklaruar ai.
Stojkoviq ka përfunduar duke theksuar se veprimet e dyshuara mund të përbëjnë vepra penale edhe në vendet ku pretendohen të kenë ndodhur. “Për më tepër, veprime të tilla janë të dënueshme si vepra penale edhe në vendet tuaja!
Presim me padurim rezultatet e hetimeve tuaja”, ka përfunduar avokati serb.
