Protestë e Madhe në Prishtinë më 1 Tetor për të Kundërshtuar Gjykatën Speciale
Platforma “Liria ka Emër” ka njoftuar për një protestë gjithëpopullore më 1 tetor në Prishtinë, si reagim ndaj vendimit të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ismail Tasholli nga kjo platformë ka bërë të ditur se protesta do të zhvillohet në sheshin “Skënderbeu” dhe, ndryshe nga organizimet e kaluara, nuk do të ketë formën e marshit.
Tasholli theksoi se ftesa është bërë për të gjithë qytetarët e Kosovës, përfshirë edhe liderët politikë, të cilët, sipas tij, janë qytetarë të këtij vendi. “Po.
Ne u kemi dërguar ftesë krejt qytetarëve të Kosovës, edhe krerët e partive janë qytetarë të Kosovës, gjithsesi që duhet të jenë të pranishëm për me e përçuar një mesazh të rëndësishëm siç është ‘Jo në emrin tim’”, tha Tasholli.
I pyetur nëse kanë marrë konfirmime nga ndonjë parti politike për pjesëmarrje në protestë, Tasholli e shpjegoi se zakonisht nuk marrin konfirmime të tilla për pjesëmarrje fizike në shesh, por shpreson që përfaqësuesit politikë do të jenë të pranishëm. “Zakonisht konfirmimet për pjesëmarrje fizike në shesh nuk i kemi kurrë, sepse janë absurde në vete, por me siguri që do të jenë sepse edhe ata janë qytetarë të këtij vendi, kësaj toke”, deklaroi ai.
Sa i përket organizimit, Tasholli bëri të ditur se do të publikohen pikat e takimeve dhe grumbullimeve të qytetarëve me autobusë, ndërsa secila komunë, sipas tij, tashmë e di pikën e nisjes dhe të grumbullimit.
Ai theksoi se protesta do të mbahet në sheshin “Skënderbeu” dhe pritet të zgjasë rreth një orë deri në një orë e gjysmë. “Po, piktakimet, grumbullimet me autobus besoj që i publikojmë.
Mandej secila komunë e din pikënisjen, pikëgrumbullimin.
Këtu për dallim prej herëve të tjera nuk do të jetë marsh, do të jetë protestë edhe do të mblidhemi në sheshin ‘Skënderbeu’.
Krejt ai organizim, nuk e di sa do të zgjasë, përafërsisht një orë, një orë e gjysmë”, tha Tasholli.
Ai informoi se në protestë pritet të ketë pesë deri në gjashtë folës nga prejardhje dhe kategori të ndryshme, përfshirë fëmijë të dëshmorëve, persona që kanë qenë pjesë e protestave të 1 tetorit të vitit 1997, studentë dhe përfaqësues të organizatave të veteranëve. “Do të jenë pesë-gjashtë folës të prejardhjeve të ndryshme në kuptimin e asaj se çka prezantojnë.
Janë fëmijë të dëshmorëve, janë njerëz që kanë qenë pjesë edhe në 97-ën në 1 tetorin e famshëm, ka edhe zë prej studentëve.
Me siguri do të jetë edhe dikush prej organizatave të veteranëve.
Dhe kjo është pak a shumë dhe do ta mbyllim edhe me pikë muzikore, zakonisht me ndonjë këngë patriotike”, u shpreh ai për Ekonomia Online.
Tasholli u pyet gjithashtu nëse protesta e 1 tetorit do të jetë paqësore.
Ai tha se të gjitha organizimet e platformës “Liria ka Emër” janë paqësore, duke i bërë thirrje qytetarëve që të marrin pjesë së bashku me familjet e tyre. “Gjithsesi.
Krejt organizimet tona janë paqësore.
Ne u bëjmë thirrje zakonisht që të vijnë me fëmijë, me pleq, të gjithë qytetarët e Kosovës, sepse vetëm në këtë mënyrë mund ta përçojmë një mesazh paqësor, gjithsesi”, shtoi Tasholli.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info

