Gjatë një konference për shtyp së bashku me kryeministrin shqiptar Edi Rama, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, shprehu kënaqësinë për rikthimin e saj në Tiranë dhe vlerësoi përpjekjet e Shqipërisë në përmbushjen e standardeve evropiane.
Ajo theksoi ecurinë në negociatat për anëtarësim dhe dobinë e këtij procesi, duke deklaruar: “Ju dhe Shqipëria keni punuar fort për ta plotësuar standardin evropian.
Shqipëria sërish ka bërë ecuri fantastike, keni hapur grupkapitujt e fundit, në korrik keni mbyllur 3 kapitujt e parë.
I siguroj shqiptarët, anëtarësimi nuk do ta bëjë vetëm Shqipërinë më të fortë, por edhe BE-në më të fortë.” Von der Leyen nënvizoi se për të arritur anëtarësimin, Shqipëria duhet të vijojë me zbatimin e reformave thelbësore në të gjithë kapitujt e hapur, përfshirë mbrojtjen e mjedisit dhe pasurive natyrore.
Ajo theksoi se realizimi i ndryshimeve të qëndrueshme kërkon bashkëpunim përtej politikës: “Kjo kërkon angazhim të vërtetë përtej ndasive politike e dialog me shoqërinë për t’iu përgjigjur të gjitha shqetësimeve të saj.” Një tjetër temë e rëndësishme që u përmend ishte mbështetja e Bashkimit Evropian për Shqipërinë pas tërmetit të vitit 2019, veçanërisht përmes programeve të rindërtimit të infrastrukturës arsimore.
Von der Leyen theksoi: “Këta udhërrëfyes do e shndërrojnë rrugën drejt anëtarësimit në hapa konkretë.
I dashur Edi, nesër në mëngjes do të kemi kënaqësinë që të vizitojmë shkollën Emin Duraku.
Në vitin 2019 kur Shqipëria u godit nga tërmeti dhe i mbaj mend ato ditë të tmerrshme, ne thamë që Europa do të qëndrojë krah jush.
Dhe ne qëndruam krah jush.
Programi BE për shkollat është një program që vërtetë më pëlqen shumë.
Me anën e këtij programi u rindërtuan apo rikonstruktuan 63 shkolla, mes të cilave edhe Emin Duraku.
Me shumë kënaqësi pres vizitën nesër.” Sa i përket zhvillimit ekonomik dhe integrimit gradual në tregun e përbashkët evropian, von der Leyen informoi se Shqipëria po ecën me ritme të larta në zbatimin e Planit të Rritjes së BE-së, duke realizuar 80% të reformave të parashikuara.
Ajo theksoi: “Ju ndërmerrni reforma që kompanitë tuaja të jenë konkurruese në tregjet tona të përbashkëta dhe ekonomia juaj integrohet gradualisht.
Shqipëria po ecën mirë sa i përket Planit të Rritjes.
Keni përmbushur 80% të reformave, keni marrë 213 milionë euro fonde dhe në javët në vijim priten pagesa të tjera.
Ne kemi arritur rezultate të mira.
Ju jeni bërë pjesë e SEPA-s.
Po punojmë për uljen e tarifave roaming. Është një mundësi e mirë që njerëzit të afrohen me njëri-tjetrin.” Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





