Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, priti të mërkurën ambasadorin e Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph.
Gjatë këtij takimi, u diskua për situatën e sigurisë në Kosovë dhe më gjerë, si dhe për zhvillimet në fushën e mbrojtjes.
Dinamika e zhvillimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe bashkëpunimi me Gjermaninë ishin në qendër të diskutimeve.
Palët trajtuan veçanërisht aktivitetet e përbashkëta të trajnimit dhe stërvitjes, si dhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit në industrinë e mbrojtjes dhe prokurimet ushtarake.
Sipas njoftimit të Ministrisë, bashkëpunimi me Gjermaninë ndihmon në avancimin e kapaciteteve të FSK-së dhe rritjen e ndërveprueshmërisë me partnerët ndërkombëtarë.
Ky bashkëpunim, përmendet në njoftim, synon të forcojë më tej rolin e Kosovës në kontributin për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në rajon dhe më gjerë. “Gjermania mbetet një partner i rëndësishëm dhe i besueshëm i Republikës së Kosovës në rrugëtimin drejt ndërtimit të një force moderne, profesionale dhe të aftë për të kontribuar në sigurinë kolektive,” theksohet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





