Kërkesa e Çlirim Hazirit për Procedimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara në Kuvend

Organizatori i protestave në kuadër të iniciativës “Jo në emrin tim”, Çlirim Haziri, i ka kërkuar kryeministrit që ligji për Dhomat e Specializuara të Hagës të procedohet në Kuvend, duke kritikuar, sipas tij, vonesat e Qeverisë lidhur me këtë çështje.

Në fjalimin e tij gjatë natës së pesëmbëdhjetë të protestave, Haziri ka shprehur pakënaqësi me mënyrën se si Qeveria po e trajton çështjen e UÇK-së, duke theksuar se institucionet duhet të tregojnë më shumë ndjeshmëri ndaj historisë dhe sakrificës për lirinë e Kosovës.

Ai ka pohuar se protesta nuk është vetëm për ata që kanë qenë pjesë e luftës, por edhe për gjeneratat e reja, të cilat, sipas tij, e konsiderojnë UÇK-në pjesë të identitetit dhe historisë së tyre. “Shikojeni këtë shesh!


- Advertisement -

Këtu sonte ka mijëra djem e vajza që kanë lindur pas vitit 1999, që nuk e kanë dëgjuar kurrë krismën e pushkës, por që u vlon gjaku dhe e kanë UÇK-në të gdhendur në zemër e në vetëdije!

Këta e dinë çmimin e lirisë dhe i dalin zot asaj çdo ditë!

Dhe pikërisht kjo është arsyeja pse prej pesëmbëdhjetë netësh nga ky shesh dëgjohet e njëjta thirrje: Jo në emrin tim!” ka deklaruar Haziri.

Ai ka kritikuar gjithashtu deklaratën e kryeministrit lidhur me përgjigjen ndaj iniciativës për ligjin, duke thënë se kanë kaluar 15 ditë nga aktgjykimi i Dhomave të Specializuara dhe shtatë ditë që nga koha kur, sipas tij, iniciativa për ligjin për UÇK-në ka mbetur në pritje. “Kryeministri doli sot para mediave dhe, me një komoditet që të fut frikën, na tha: ‘S’kam pritur drejtësi nga Specialja, e këtë javë i përgjigjemi iniciativës për ligjin.’ Këtë javë?!

Sot u bënë pesëmbëdhjetë ditë prej kur me atë aktgjykim u dënua historia e UÇK-së, dhe shtatë ditë që iniciativa për ligjin e UÇK-së rri në sirtarin e Kryeministrit!

Pesëmbëdhjetë ditë nga aktgjykimi!

Shtatë ditë në sirtar!

Dhe përgjigjja është: ‘këtë javë’?!”, ka thënë ai.

Haziri ka kundërshtuar edhe atë që e cilësoi si bartje të përgjegjësisë te ekspertët ligjorë, duke kërkuar që Qeveria të marrë vendim dhe ta procedojë iniciativën në Kuvend. “Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk është rregullore komunikacioni, zotëri!

UÇK-ja nuk është tender për zyrën e prokurimit që t’ia lësh në dorë nëpunësve e të presësh ‘vërejtjet’ e tyre!

UÇK-ja është gjaku, është liria, është vetë ADN-ja e këtij shteti!

Përgjegjësia politike e Kryeministrit dhe e Qeverisë nuk mund të humbasë prapa letrave, dosjeve e procedurave,” ka deklaruar organizatori i protestës.

Në fund të fjalimit, Haziri i është drejtuar drejtpërdrejt kryeministrit, duke kërkuar që ligji të dërgohet në Kuvend para se vendi të shkojë në zgjedhje.

Ai ka paralajmëruar se protesta do të vazhdojë edhe më 1 tetor, kur është planifikuar marshi në rrugët e Prishtinës. “Kryeministër!

Mos e ço vendin në zgjedhje pa e votuar ligjin! Është koha t’i lini lojërat politike.

Mendojeni Kosovën.

Në këtë shesh, tash e pesëmbëdhjetë net, ka shumë të rinj e të reja që të besuan.

Dërgoje ligjin në Kuvend!

Leri lojërat!

Dhe derisa ajo përgjigje mungon, nga ky shesh do të vazhdojë të dëgjohet: Jo në emrin tim!” ka përfunduar Haziri.

Burimi origjinal i informacionit: zeri .info


- Advertisement -

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *