Të gjithë bashkë u mblodhën në Kryesinë e Kuvendit.
Përfaqësuesit e partive politike po takoheshin për herë të parë për të nisur legjislaturën e 11-të në Kuvend.
Në këtë mbledhje, e cila u drejtua nga kryetarja e Kuvendit dhe nënkryetarët nga partitë, ishte prezent edhe Partia Demokratike e Kosovës.
Megjithatë, edhe pse nuk kanë zgjedhur formalisht nënkryetarin, në takim mori pjesë shefi i grupit parlamentar, Arian Tahiri.
Ai shpjegoi kërkesat e tij në këtë mbledhje. “Në emër të partisë Kryesisë i kërkova që fillimisht Kuvendi ta ketë deklaratë të përbashkët dhe u dakorduam ta kemi deklaratën e përbashkët në seancën që do mbahet të hënën.
Më e rëndësishme është nisma ligjore që e kemi dorëzuar në Kuvend dhe prej Kuvendit nisma për mendim ka shkuar në Qeveri.
Andaj presioni i të gjithëve duhet të jetë te Qeveria”, tha Artan Tahiri.
Ai gjithashtu theksoi se për nismën e PDK-së, Haxhiu i ka thënë se do të zhvillojë takime me kryeministrin Kurti. “Këtë kërkesë dhe presion e bëra te Kryesia ku Haxhiu u zotua se personalisht do të angazhohet dhe do komunikojë me kryeministrin që kjo nismë të trajtohet me urgjencë.
Të mos neglizhohet dhe të sigurohet vullneti i secilës forcë politike që të bëhet amandamenti i Ligjit për Dhomat e Specializuara karshi situatës në të cilën jemi”, deklaroi shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Artan Tahiri.
Megjithatë, kur kryekuvendarja u pyet për nismën, ajo tha se nuk janë konsultuar paraprakisht. “Sa i përket projektligjit, u munduam ta pyesim Tahirin se me kë jeni konsultuar, sepse mendoj që shumë më e drejtë do të ishte që çfarëdo të bënim të vinim në Komisionin për Legjislacion dhe të draftonin një ndryshim-plotësim të ligjit.
Ose që paraprakisht të konsultohen ekspertët e fushës dhe ekipet e mbrojtjes.
Nuk mendoj se bëjmë mirë nëse nuk i konsultojmë ekipet mbrojtëse për çfarëdo iniciative ligjore.
Sipas informacioneve, ekipet mbrojtëse nuk janë konsultuar dhe është gabim”, tha Albulena Haxhiu.
Ajo gjithashtu njoftoi se në seancën e së hënës do të kenë një deklaratë të përbashkët të gjitha partitë për aktgjykimin në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së. “Miratimin e një deklarate që lidhet me procesin në Hagë, përkatësisht me vendimin e padrejtë të Gjykatës Speciale.
Jemi dakorduar që paraprakisht të mos vendosen deputetët para një akti të kryer, mirëpo që të kontribuojmë në draftimin e kësaj deklarate.
Të jetë një qëndrim i Kuvendit.
Deklaratat nuk kanë peshë juridike, por të jetë një qëndrim i Kuvendit”, shtoi Haxhiu.
Haxhiu gjithashtu komentoi vendimin e Gjykatës Kushtetuese në lidhje me konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë. “Unë jam shumë e shqetësuar për mënyrën se si i trajton Gjykata lëndët.
Nuk është Gjykata Kushtetuese institucion që duhet të ua bëj qejfin partive politike.
Nëse ne kemi gabuar; thuaje këtu ka qenë gabimi.
Pra, pak po ia bëjë qejfin Vetëvendosjes, këtu po ja bëjë qejfin PDK-së.
Këtu po e mbylli syrin.
Këtu po e hapi syrin.
Kjo është çështje shumë serioze”, potencoi Haxhiu.
Për deklaratën e përbashkët, folën edhe Vetëvendosje dhe Aleanca. “Po ashtu patëm një pajtueshmëri për një deklaratë të përbashkët e cila do të shprehte edhe unitetin e jo vetëm të partive politike, por mbi të gjitha unitetin e qytetarëve në raport me një qëndrim politik me vendimin e padrejtë të Gjykatës Speciale të datës 16 shtator”, tha Arbërie Nagavci, shefe e grupit parlamentar të VV-së. “Aleanca në këtë takim e ritheksoi atë që e ka thënë para tri ditëve, nevojën që Kuvendi i Kosovës të ketë një deklarim politik, deklaratë për Rezolutë që do të dënonte, dhe në të njëjtën kohë do të kërkonte drejtësi për katër çlirimtarët tanë në Hagë.
Këtë kërkesë e theksova në takimin e Kryesisë, por në të njëjtën kohë edhe i dhashë mbështetje Grupit Parlamentar të PDK-së për nismën e tyre që tashmë është në Qeveri”, deklaroi Besnik Tahiri nga Aleanca.
Në këtë mbledhje të parë të kryesisë, u diskutua për formimin e komisioneve të rregullta parlamentare.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





