Takimi i Kryeministrit Kurti me Presidentin e Bankës Botërore në New York

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se gjatë qëndrimit të tij në New York për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, është takuar me presidentin e Bankës Botërore, Ajay Banga.

Gjatë këtij takimi, ata diskutuan për zhvillimet ekonomike në Kosovë, tregun e punës dhe orientimin e remitencave drejt sektorëve produktivë.

Kurti theksoi se biseda me presidentin e Bankës Botërore përfshiu progresin e Kosovës në vitet e fundit, heqjen nga lista e shteteve të brishta dhe në konflikt, kalimin nga marrës në donator të Agjencisë Ndërkombëtare për Zhvillim dhe rritjen ekonomike. “Me Presidentin e BB-së diskutuam për progresin e jashtëzakonshëm të Kosovës në vitet e fundit, heqjen nga lista e shteteve të brishta e në konflikt, tranzicionin nga marrës në donator të Agjencisë Ndërkombëtare për Zhvillim, dhe rritjen e vazhdueshme ekonomike,” theksoi Kurti.


- Advertisement -

Ai gjithashtu theksoi se në mandatin e ardhshëm qeverisës, do të përqendrohet në rritjen cilësore të vendeve të punës dhe në përfshirjen e të rinjve dhe grave në tregun e punës. “Theksova se për mandatin qeverisës në vijim, pas uljes së papunësisë nga 26% në 10%, fokus do të jetë rritja më cilësore e vendeve të punës e që paguhen më shumë, por edhe rritja e pjesëmarrjes së rinisë dhe grave në tregun e punës,” shtoi ai.

Kurti përmendi edhe rëndësinë e orientimit të remitencave dhe kursimeve të mërgatës drejt sektorëve produktivë të ekonomisë. “Gjithashtu, përmenda nevojën për të orientuar remitencat dhe kursimet e mërgatës sonë drejt sektorëve produktivë në ekonomi,” tha ai.

Sipas tij, presidenti i Bankës Botërore, Ajay Banga, paraqiti planin e tij për mbështetje të shteteve anëtare në krijimin e vendeve më cilësore të punës. “Në anën tjetër, Presidenti Banga prezantoi planin e tij për t’i mbështetur shtetet anëtare në krijimin e vendeve më cilësore të punës përmes fushave si ndërtimtaria, bujqësia produktive, shëndetësia, turizmi dhe prodhimtaria,” përfundoi Kurti.

Burimi origjinal i informacionit: zeri .info


- Advertisement -

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *