Tenori kosovar me famë ndërkombëtare, Ramë Lahaj, mbajti sonte një fjalim emocionues para qytetarëve të mbledhur në sheshin e Prishtinës, në ditën e shtatë të protestave kundër vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Lahaj, i ftuar për të performuar para protestuesve, interpretuan edhe këngën e njohur “Rrjedh në këngë e ligjërime”, duke krijuar një atmosferë të ngrohtë dhe emocionuese, e cila u prit me duartrokitje nga të pranishmit.
Pas performancës, tenori iu drejtua turmës me një mesazh thelbësor që kishte në qendër unitetin dhe bashkimin e qytetarëve. “Kosovës i duhet urgjentisht uniteti dhe bashkimi i të gjitha forcave, pavarësisht bindjeve politike e fetare!”, theksoi ai.
Lahaj u ndal edhe te e ardhmja e vendit, duke kërkuar që energjia e shoqërisë të orientohet drejt ndërtimit të një Kosove të sigurt, me institucione të forta dhe shërbime të besueshme. “Së bashku e kemi për detyrë ta ndërtojmë një Kosovë të sigurt, me ushtri, edukim e mjekësi.
Kemi derdhur gjak për një të ardhme premtuese për fëmijët tanë.
Kjo duhet të jetë beteja jonë e vetme sot!”, u shpreh tenori.
Ai theksoi se qytetarët duhet t’i dalin zot vlerave që lidhen me luftën dhe paqen, duke kujtuar atmosferën festive që krijohet çdo vit në Prishtinë, ku bashkohen qytetarë nga Kosova dhe diaspora. “Së bashku, fuqishëm, duhet t’i dalim zot vlerave tona të luftës e paqes, se atdhe tjetër nuk kemi”, tha Lahaj.
Në fund, ai iu drejtua drejtpërdrejt protestuesve me një tjetër thirrje për bashkim: “Për hir të gjakut të dëshmorëve, bëhuni bashkë, se atdhe tjetër nuk kemi”, përfundoi ai, para se ta përmbyllte fjalimin me thirrjen: “Rrnoftë Kosova, rrnoftë UÇK-ja!” Burimi origjinal i informacionit: telegrafi .com





