PDK: Tërheqim kërkesat për të hapur rrugën për ndryshimin e mandatit të Gjykatës Speciale

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, ka deklaruar se PDK-ja është e gatshme të tërheqë kërkesat e saj politike dhe juridike në Gjykatën Kushtetuese, për të krijuar kushtet e nevojshme për shqyrtimin e nismës ligjore për ndryshimin e mandatit të Gjykatës Speciale.

Në një intervistë për RTVDukagjini, Gruda theksoi se ky qëndrim i PDK-së ishte vendosur para datës 16 shtator, kur Gjykata Speciale shpalli aktgjykimin për katër ish-krerët e UÇK-së. “Ne kemi pas atë qëndrim sepse kjo është një ngjarje që ndodh një herë në një shekull, madje ndonjëherë edhe një herë në dekada.

Nuk mund t’i mbivendosim qëndrim politik ngjarjeve të tilla kaq të rëndësishme për historinë e Kosovës.


- Advertisement -

Qëndrimi ynë për t’u drejtuar në Gjykatën Kushtetuese është marrë para 16 shtatorit.

Tani, është normale të themi se mund të tërhiqemi nga kërkesat politike dhe juridike për të lejuar kalimin e këtij ligji.

Nuk mendoj se është arsyetim të presim vendimin e GJK-së, sepse në aspektin juridik Vetëvendosja e ka konsideruar Kuvendin të konstituuar.

Politika e Vetëvendosjes gjithashtu nuk ka pasur qëndrim kundërshtues ndaj themelimit të Kuvendit.

Mendoj se nuk është një arsyetim valid të thuash se po presim GJK-në, siç ka thënë Vetëvendosja.

Megjithatë, GJK do të vendosë, dhe tani kanë kaluar 10 ditë që rasti është në GJK.

Unë besoj se për një javë ose dy më shumë nuk do të vonohet, dhe gjykata do të vendosë për këtë rast, duke na dhënë hapësirë për të diskutuar ligjin,” ka thënë Gruda.

Nisma e PDK-së ka për qëllim ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Sipas propozimit të bërë publik nga kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, synohet kufizimi i mandatit të Gjykatës Speciale dhe vendosja e monitorimit ndërkombëtar të punës së saj.

Hamza njoftoi se rastet që nuk bien nën juridiksionin e propozuar nga PDK-ja do të mbesin në Hagë, përfshirë rastet për krime lufte, të cilat do të mund të transferoheshin në Kosovë bashkë me dosjet, provat dhe materialet përkatëse.

PDK-ja ka dorëzuar nismën e saj në Kuvend, dhe njëkohësisht, ka kontestuar në Gjykatën Kushtetuese konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë.

Për miratimin e ndryshimeve ligjore, nevojitet mbështetja e shumicës së deputetëve në Kuvend.

Burimi origjinal i informacionit: zeri .info


- Advertisement -

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *