Festivali i filmit “Storie Parallele” u mbajt në Salandra, në rajonin italian të Bazilikatës, ku dokumentari ‘Sarajevo Safari’, i cili pati premierë në vitin 2022 në festivalin ‘Al Jazeera Balkans Doc’, fitoi çmimin për dokumentarin më të mirë.
Ky film ofron një mundësi për reflektim mbi historinë e dhimbshme të rrethimit të Sarajevës. ‘Sarajevo Safari’ eksploron dëshmitë dhe pretendimet për të ashtuquajturit ‘turistë të fundjavës’ – të huaj të pasur që dyshohet se paguanin për t’u dërguar në pozitat e forcave serbe të Bosnjës dhe për të qëlluar ndaj banorëve të Sarajevës gjatë rrethimit të qytetit. Çmimi vjen në një kohë kur historia e filmit po bën një lëvizje të rëndësishme nga sfera kinematografike në atë publike.
Hetimet gazetareske dhe ato gjyqësore, si dhe përgjigjet nga shumë vende evropiane, i dhanë filmit një vazhdim, duke e bërë atë më shumë se një thjesht një dokumentim të së kaluarës, por një burim për rihapjen e çështjes së përgjegjësisë, kujtesës dhe heshtjes evropiane.
Historia e ‘Safari i Sarajevës’ ka mbetur për vite të tëra e fshehur nga publiku.
Gjatë rrethimit, përveç forcave serbe të Bosnjës, pretendohet se në pozitat e snajperëve ishin dërguar edhe shtetas të huaj, të cilët dyshohet se paguanin për të qëlluar ndaj civilëve të Sarajevës. ‘Këta ishin të huaj të pasur që paguanin shuma të larta për t’u lejuar të qëllonin mbi banorët e qytetit të rrethuar’, thuhet në përshkrimin e filmit. ‘Sarajevo Safari’ u prezantua në Itali dhe nisi një udhëtim nëpër shumë qytete, nga Trieste, Udine, në Romë, Verona, Paluzza dhe vende të tjera. ‘Çdo projeksion e vendos historinë në një kontekst paksa të ndryshëm, por mbi të gjitha e hap atë përsëri për një bisedë me publikun’, deklarojnë organizatorët.
Burimi origjinal i informacionit: telegrafi .com





