Ilir Havolli, specialist i Psikologjisë Klinike, ka theksuar nevojën për që shërbimet e shëndetit mendor të jenë më të aksesueshme për qytetarët dhe të ofrohen pa pagesë në institucionet shëndetësore, pas ngjarjeve tragjike në fshatin Livoç i Ulët të Gjilanit, ku dy persona u vranë dhe një tjetër u plagos.
Havolli theksoi se raste të tilla tregojnë se problematikat e shëndetit mendor po rriten, dhe si profesionistë, ata duhet të bëjnë më shumë për të ndihmuar individët në menaxhimin e emocioneve të tyre dhe për të parandaluar aktet fatale si vrasja ose vetëvrasja.
Një nga hapat e rëndësishëm që sugjeroi ai, ishte përfshirja e psikologëve dhe profesionistëve të shëndetit mendor në institucionet ku qytetarët mund të marrin shërbime shëndetësore.
Kjo do të siguronte mbështetje profesionale të drejtpërdrejtë dhe pa kosto. “Më e duhura do të ishte inkorporimi i gjithë psikologëve dhe profesionistëve të shëndetit mendor në çdo institucion ku populli, individët kanë mundësi që të marrin shërbime shëndetësore, shëndetit mendor, pa pagesë dhe të kenë qasje të drejtpërdrejtë te këto shërbime”, tha ai.
Havolli gjithashtu theksoi se vështirësitë në menaxhimin e emocioneve si stresi, ankthi dhe depresioni, mund ta izolojnë individin nga rrethet shoqërore dhe t’i zbehin shpresat. “Pamundësia për me e menaxhuar emocionet e tij, siç është stresi, ankthi, depresioni, e shtyn një individ rreth një rrethi vicioz.
Kur futet brenda atij rrethi vicioz individi e humb motivin, largohet nga rrethet sociale dhe si diçka e tillë mund të vijë deri te akte të tilla, ku ata kanë një mungesë të shpresës dhe realizojnë akte të tilla”, theksoi ai.
Përveç zgjerimit të shërbimeve, Havolli theksoi se edukimi dhe ndërgjegjësimi i qytetarëve për shëndetin mendor është po ashtu i rëndësishëm, në mënyrë që kërkimi i ndihmës profesionale të mos lidhet me frikën nga paragjykimet. “Duhet ta bëjmë një ndërgjegjësim dhe edukim të promovimit shëndetësor në mënyrë që populli ynë të marrin shërbime shëndetësore, përkatësisht shërbime të shëndetit mendor, pa u frikësuar se ata do të stigmatizohen.
Kjo është një hap i cili do të jetë vazhdimisht, por nuk është një destinacion i cili arrihet tani, por një destinacion i cili na ndjek në vazhdimësi”, tha ai.
Një ngjarje tragjike, e cila ndodhi të premten në mesditë, tronditi fshatin Livoç i Ulët në Gjilan, ku dy persona u vranë dhe një tjetër u plagos rëndë.
I dyshuari kryesor, Valon Ramushi, dyshohet se ka vrarë bashkëshorten e tij, Nafije Bogujevci, 27-vjeçare, dhe vëllain e saj, Egzon Bogujevci, 31-vjeçar.
Ai gjithashtu dyshohet se ka plagosur rëndë djalin e xhaxhait të viktimave, M.B., 48-vjeçar, i cili po trajtohet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





