Numri i anesteziologëve në sistemin publik shëndetësor në Kosovë ka pësuar rritje gjatë këtij viti, megjithatë, ende nuk ka arritur nivelin që ishte para pandemisë COVID-19.
Këtë e theksuan gjatë konferencës vjetore të organizuar nga Shoqata e Anesteziologëve të Kosovës, në kuadër të shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Anesteziologjisë.
Sipas anesteziologëve, gjatë këtij viti janë punësuar 21 specialistë të rinj.
Aktualisht, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ka 55 anesteziologë, ndërsa para pandemisë ky numër ishte 67.
Kryetarja e Shoqatës së Anesteziologëve të Kosovës, Agreta Gecaj-Gashi, theksoi rëndësinë e profesionit të tyre.
Ajo nënvizoi se anesteziologjia në Kosovë është afër standardeve evropiane sa i përket trajnimeve dhe edukimit profesional të stafit.
Në këtë ngjarje, ishte i pranishëm edhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, i cili theksoi se anesteziologët në sektorin publik kanë pasur një ngarkesë të madhe ndër vite.
Nga Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës u njoftua se mbështetja për këtë fushë do të vazhdojë.
Përveç angazhimit në sallat operative, anesteziologët janë përgjegjës edhe për mjekimin intensiv, si njësia referente në nivel vendi për trajtimin e rasteve më të rënda.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





