Rrahmani: Mbështetje e deklaratës pa ligjin për drejtësi është dyfytyrësi politike

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Eman Rrahmani, ka shprehur mendimin se mbështetja e deklaratës së përbashkët të Kuvendit për aktgjykimin denues të Gjykatës Speciale, pa e mbështetur edhe ligjin që ka për qëllim adresimin e padrejtësive të mundshme, nuk ka asnjë kuptim.

Rrahmani e bëri këtë deklaratë gjatë një bisede në RTV Dukagjini, ku u diskutua miratimi i deklaratës së përbashkët të Kuvendit të Kosovës, që erdhi 12 ditë pas aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.

Ai falënderoi deputetët që e mbështetën deklaratën, por theksoi se ajo nuk ka efekte juridike në procesin gjyqësor. “Falënderoj gjithë deputetët që e kanë mbështetur një deklaratë të përbashkët.


- Advertisement -

Kjo deklaratë nuk ka efekte juridike për procesin, por është thjesht një deklarim i përbashkët për krejt atë që ka ndodhur”, tha Rrahmani.

Sipas tij, vonesa e seancës erdhi për shkak të mospajtimeve ndërmjet partive politike, duke paralajmëruar se mund të ketë edhe pozicionime të ndryshme politike lidhur me hapat e ardhshëm.

Rrahmani theksoi se mbështetja e deklaratës dhe kundërshtimi i ligjit të propozuar për Gjykatën Speciale do të përbënin, sipas tij, dyfytyrësi politike. “Mbështetja e kësaj deklarate dhe mosmbështetja e ligjit nesër nuk ka kuptim.

I bie me pas dyfytyrësi politike.

Sepse i vetmi proces që ne, si Kuvend dhe deputetë, mundemi me i ndihmu kthimit të drejtësisë që i është bërë popullit shqiptar dhe UÇK-së, është përmes votimit të ligjit që do të jetë si garanci për përmirësimin e padrejtësive që mund të bëhen në shkallën e dytë”, ka deklaruar Rrahmani.

Në këtë kontekst, ai i bëri thirrje Qeverisë që të ofrojë një opinion ligjor për çështjen në fjalë.

Rrahmani argumentoi se Qeveria mund të japë vlerësimin e saj juridik, ndërsa vendimmarrja për ligjet i takon Kuvendit.

Ai sqaroi se, sipas tij, Qeveria nuk ka kompetencë të ndryshojë apo plotësojë ligjin e dërguar, por mund të ofrojë opinionin e saj, përpara se Kuvendi të vendosë për të.

Burimi origjinal i informacionit: zeri .info


- Advertisement -

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *