Zëdhënësi i Aleancës, Kushtrim Xhemaili, ka reaguar pas thirrjes së sotme për pushkatimin e Ramush Haradinajt brenda Kuvendit të Kosovës, duke e cilësuar atë si një akt të pastër kriminal.
Xhemaili ka thënë se kjo nuk është liri e shprehjes, por fashizëm i hapur që kërkon reagim të menjëhershëm.
Ai ka theksuar se ajo që u kërkua sot në mes të Prishtinës është e njëjtë me atë që Serbia e kërkon zyrtarisht prej tri dekadash. ‘Beogradi tentoi ta dënojë dhe ta thyejë Haradinajn në Tribunalin e Hagës me dosje të trilluara.
Por, ai doli dy herë i pafajshëm, duke mbrojtur përfundimisht pastërtinë e luftës së UÇK-së.
Sot, kjo mendësi antikombëtare guxon ta krahasojë një komandant çlirimtar me terroristin Milan Radojçiq’, ka deklaruar Xhemaili.
Ai ka kritikuar ashpër edhe heshtjen e deputetëve dhe zyrtarëve të pranishëm nga partia që ka fituar zgjedhjet, duke thënë se ata lejuan këtë ‘linçim monstruoz’ pa bërë asnjë reagim. ‘Kuvendi i Kosovës nuk është arenë për të mbjellë urrejtje dhe agjenda të Beogradit.
Prokuroria duhet të veprojë urgjentisht!’, ka përfunduar Xhemaili.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





