Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka reaguar lidhur me rastin e Erkan Nikës, 28-vjeçarit shqiptar që rezulton i zhdukur pas sulmit me dron ndaj anijes M/V AROYAT pranë Novorossiysk-ut, në Detin e Zi.
MEPJ-ja, përmes zëdhënësit të saj, njoftoi se “rasti po ndiqet me prioritet të lartë në bashkërendim të ngushtë me përfaqësitë diplomatike dhe konsullore të Republikës së Shqipërisë në Moskë, Ankara dhe Stamboll”.
Ministria thekson se që nga momenti i parë, strukturat konsullore dhe diplomatike shqiptare në disa vende janë angazhuar për sigurimin e informacionit zyrtar dhe koordinimin me autoritetet përkatëse.
Familjarët e Erkan Nikës, që jetojnë në Stamboll, iu drejtuan Konsullatës së Përgjithshme të Shqipërisë më 28 shtator 2026.
Pas njoftimit nga ata, MEPJ-ja filloi mbledhjen e informacionit dhe dokumentacionit të nevojshëm, si dhe komunikimin me institucionet kompetente. “Deri tani, kërkesat tona për informacion adresuar Ministrisë së Punëve të Jashtme të Federatës Ruse dhe autoriteteve përkatëse nuk kanë dhënë ndonjë rezultat”, u shpreh zëdhënësi i MEPJ-së.
Sipas informacionit paraprak nga autoritetet ruse, pjesa tjetër e ekuipazhit ka qenë evakuuar me helikopter, por Erkan Nika nuk është gjetur në bord gjatë operacionit. “Ekziston dyshimi se ai mund të ketë rënë në det si pasojë e valës goditëse të shpërthimit.
Kërkimet deri në atë moment nuk kanë dhënë rezultat”, tha MEPJ-ja.
Më 1 tetor 2026, Ministria e Punëve të Jashtme e Federatës Ruse konfirmoi se Erkan Nika rezultonte i zhdukur pas sulmit me dron në Detin e Zi.
Reagimi i MEPJ-së erdhi pas apelimit të babait të 28-vjeçarit, Rexh Nika, i cili kërkoi ndihmë nga institucionet shqiptare dhe autoritetet e vendeve përreth Detit të Zi. “U bëjmë thirrje të gjitha spitaleve dhe institucioneve përkatëse në Rusi, Gjeorgji dhe përreth Detit të Zi që të kontrollojnë regjistrat e tyre për pacientë të paidentifikuar”, theksoi ai.
Familja Nika jeton në Turqi që prej vitit 1997, ndërsa Erkani punonte si inxhinier i dytë në anijen AROYAT.
Ai ishte në bord me 15 anëtarë të tjerë të ekuipazhit, prej të cilëve 15 u shpëtuan, ndërsa ai rezulton i vetmi i zhdukur. “Mesazhin e fundit me djalin e kam pasur më 25 shtator.
Në darkë i kam bërë mesazh, një lutje.
Ma ktheu përgjigjen të nesërmen në orën 08:39. ‘Jemi në Detin e Zi’, më ka thënë”, tregoi babai i tij.
MEPJ-ja ka siguruar që familjarët e tij janë mbajtur të informuar për çdo zhvillim. “Institucionet shqiptare do të vazhdojnë të angazhohen në ndjekjen e këtij rasti dhe do të informojmë familjen menjëherë për çdo zhvillim të ri zyrtar”, tha zëdhënësi.
Erkan Nika është i gjatë rreth 186-187 centimetra, peshon rreth 100 kilogramë, ka flokë kafe të çelët dhe sy ngjyrë lajthie.
Familja e tij kërkon ndihmë për gjetjen e tij dhe pret çdo informacion që mund të ndihmojë në zbardhjen e fatit të tij.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





