Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje për situatën aktuale politike në vend, duke thënë se moskonstituimi i Kuvendit mbetet problemi kryesor institucional në Kosovë.
Në një konferencë për media, Ramadani ka deklaruar se vendi po përballet me ditën e 18-të të, siç e quajti ai, bllokadës së re institucionale, ndërsa akuzoi Vetëvendosjen se po e orienton vendin drejt zgjedhjeve. ‘Sot është dita e 18 e bllokadës së re, pas qindra ditëve të bllokadave të kaluara që ka bërë LVV-ja dhe është duke vazhduar ta bëjë.
Thelbi i krejt situatës në të cilën është Kosova, është moskonstituimi i Kuvendit,’ ka thënë Ramadani.
Ai e ka cilësuar gjendjen e Vetëvendosjes si ‘panik ligjor’, duke pretenduar se veprimet e saj politike po shërbejnë si përpjekje për të shmangur zgjidhjen e krizës institucionale.
Sipas Ramadanit, zhvillimet e tjera politike dhe diskutimet për zgjedhjet po përdoren si ‘alibi’ për të mos u gjetur një zgjidhje për konstituimin e Kuvendit.
Duke folur për zgjedhjen e presidentit të vendit, deputeti i Aleancës ka thënë se partia e tij nuk është e interesuar për marrëveshje politike mes partive, por për zbatimin e gjashtë kërkesave të saj. ‘Për zgjedhjen e presidentit duhet marrëveshje politike, por për marrëveshje politike partiake ne nuk jemi të interesuar.
Jemi të interesuar për gjashtë kërkesat tona që janë jetike për Kosovën,’ është shprehur Ramadani.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





