Nën prezencën e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, përfaqësues të BE-së, BERZH-it, si dhe krerëve shtetërorë të Maqedonisë së Veriut, sot është vendosur gur themeli i rrugës Shkup – Bllacë, i dhjetë kilometrit të fundit, ndërtimi i së cilës duhet të përfundojë për katër vjet.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, tha se kjo rrugë do ta afrojë më shumë Maqedoninë e Veriut me Kosovën, si dhe qytetarët e tyre në mes vete.
Kurti gjithashtu theksoi se rëndësia e kësaj rruge është përtej asaj infrastrukturore.
Autostrada Shkup – Bllacë, mes pesë tunele, tetë ura e tetë galeri do ta përforcojë lidhjen infrastrukturore në mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
Rëndësia e kësaj është përtej infrastrukturës, do të lehtësohet lëvizja dhe do të krijohen mundësi për qytetarët dhe dy vendet tona. Çdo kilometër i ri rruge është investim në jetën e qytetarëve tanë dhe në zhvillimin ekonomik të të dyja vendeve.
Njëkohësisht do t’u jep mundësi bizneseve tanë për të lëvizur mallrat dhe për të krijuar partneritete të reja.
Kjo rrugë është pjesë e rrjetit evropian ‘Ten T’ që afron Shkupin me Prishtinën.
Ndërsa kryeministri i Maqedonisë së Veriut Hristijan Mickoski, këtë moment e cilësoi si historik, duke theksuar se pas 20 viteve ka nisur ndërtimi i rrugës Shkup – Bllacë.
Drejtori i Ndërmarrjes publike për rrugë shtetërore në Maqedoninë e Veriut Koce Trajanovski, tha se për shkak të terrenit të vështirë në vetëm 10.5 kilometra rrugë do të ketë pesë tunele dhe tetë ura.
Financimi u sigurua përmes një kredie nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim në shumën prej 167.6 milionë eurosh, një granti nga Korniza e Investimeve për Ballkanin Perëndimor prej 30.82 milionë eurosh, fondeve nga buxheti i PESR për shpronësim, si dhe fondeve të granteve për projektuesit Hill International dhe ADT Omega.
Në fjalën e tij, Trajanovski foli edhe për karakteristikat teknike të autostradës, e cila do të ketë dy korsi, secila me nga dy korsi trafiku dhe një korsi ndalimi, me një gjerësi totale prej rreth 27.5 metrash.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





