Organizatori i protestës “Jo në emrin tim”, Çlirim Haziri, kërkoi drejtësi të bazuar në prova, ligj dhe standarde të barabarta, si dhe veprime konkrete institucionale për mbrojtjen e UÇK-së gjatë protestës së sotme në Prishtinë.
Në fjalimin e tij, Haziri iu drejtua rinisë, duke kujtuar babanë e tij, Xhavit Hazirin, i cili mungon që nga viti 1998. “Rini e Kosovës, hallall ju qoftë gjaku i babës tem!
Sepse kur ju shoh të lirë, në këmbë, duke mos harruar prej nga erdhi kjo liri, e kuptoj se sakrifica e tyre jeton te ju”, tha ai.
Haziri theksoi se protesta nuk është kundër drejtësisë, por është një kërkesë për një proces të bazuar në prova. “Ne nuk jemi në këtë shesh për t’ia mbuluar krimet individuale askujt!
Kush ka bërë krim, le të përgjigjet!
Por nuk lejojmë askënd që t’i fshehë krimet e vërteta të të tjerëve, duke ua hedhur barrën në supe udhëheqësve të UÇK-së!”, deklaroi ai.
Ai gjithashtu kërkoi miratimin e ligjit dhe mbështetje institucionale për ish-krerët e UÇK-së që po përballen me procesin në Hagë. “Ne jemi këtu për drejtësi që bazohet në prova, në ligj dhe në standarde të barabarta – jo në politikë!
Për ta mbrojtur UÇK-në me shtet e me vepra, jo me fjalë!”, u shpreh Haziri.
Duke folur për babanë e tij, ai tha se familja ende nuk e di vendndodhjen e tij. “Për shumë prej jush, Xhavit Haziri është Hero i Kombit.
Për mua, është babai im.
Babai që mungon që nga viti 1998.
Babai të cilit ende nuk ia di varrin ku mund t’ia vendos një lule”, tha Haziri.
Në fund, ai përcolli një mesazh emocionues për babanë e tij: “Babë, më mirë pa ty, se pa atdhe!” “Lavdi dëshmorëve të kombit!
Lavdi Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!
Kosova nuk harron!
Jo në emrin tim!”, përfundoi Haziri.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





