Protesta qytetare kundër investimit të planifikuar në Zvërnec vijoi pasditen e sotme në kryeqytet, duke shënuar ditën e 119-të radhazi.
Ashtu si gjithmonë, qytetarët u mblodhën fillimisht në sheshin “Skënderbej” dhe më pas marshuan përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.
Me pankarta në duar dhe thirrje për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, protestuesit vazhduan të artikulojnë kërkesat e tyre për largimin e të ashtuquajturës “kastë e vjetër” politike.
Në sheshin përpara godinës së kryeministrisë, aktivistë të shoqërisë civile përsëritën kundërshtimin ndaj investimit turistik në zonën e Zvërnecit, si dhe ndaj politikave për zonat e mbrojtura dhe investimeve strategjike.
Aktivistja Sidorela Vatnikaj foli gjatë protestës së 119-të, duke theksuar se arsyet që nxorën qytetarët në shesh janë të lidhura me skandalet dhe zhvillimet e fundit politike.
Ajo theksoi se protestuesit vazhdojnë të mblidhen çdo ditë dhe akuzoi qeverinë për lidhje me korrupsionin dhe krimin e organizuar.
Vatnikaj iu referua gjithashtu arrestimeve dhe hetimeve ndaj zyrtarëve, duke pretenduar se këto zhvillime tregojnë për një krizë të institucioneve.
Një e moshuar, duke folur nga foltorja para Kryeministrisë, tha se pensioni prej 12 mijë lekësh nuk mjafton për të mbuluar shpenzimet e muajit. “Këto janë në Amerikë, kam 120 mijë lekë të vjetra pension.
Surrati atyre shkon shtrihen në hotele luksoze.
Nuk duan të dinë për këtë popull.
Por duhet të dini se ky popull nuk ndalon më”, theksoi ajo.
Protesta, e cila filloi më 31 maj si një kundërshtim ndaj projektit të investimit në zonën e Zvërnec, është zgjeruar gjatë javëve të fundit me kërkesa politike dhe institucionale.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





