
Këlliçi denoncon dhunën ndaj rinisë dhe diasporës: Plumbat e gomës si mjet terrori
Nënkryetari i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, denoncoi përdorimin e një “mjeti të ri terrori” kundër rinisë dhe diasporës: plumbat e gomës dhe municionin kinetik.
Ai tha se “Deri më tani, në pak orë protestë, raportohen mbi 10 të rinj të plagosur me plumba gome dhe mjete kinetike, të cilat policitë europiane i kanë ndaluar në përballjet me protestuesit pasi një fëmijë u gjymtua.” Gjithashtu, Amnesty International ka kërkuar ndalimin e tyre në të gjithë botën.
Këlliçi theksoi se “Nga ekspertiza ndërkombëtare provohet se mund të jenë vdekjekprurës apo të shkaktojnë dëme të pariparueshme”.
Ai i bëri thirrje Edi Ramës të ndalë menjëherë dhunën ndaj rinisë dhe diasporës, të tërheqë narkopolicinë, dhe të japë dorëheqjen. “Për dijeni të publikut, sipas Direktivave të OKB-së, është rreptësisht e ndaluar gjuajtja e plumbave të gomës në mënyrë të verbër apo të përgjithësuar ndaj një turme.
Këto janë standarde dhe udhëzime të vendosura nga OKB, dhe të reflektuara në Ligjin për Policinë e Shtetit.
Por, është e qartë tashmë se çfarë kërkon Edi Rama.
Edhe pse del si shpirt i keq çdo mëngjes duke derdhur lot krokodili mbi gërmadha, kjo nuk i mjafton.
Ai kërkon një kurban, me të vetmin qëllim, shtypjen përfundimtare të protestës studentore.
Në këtë akt të fundit makabër, miqtë ndërkombëtarë të Shqipërisë, përfaqësitë diplomatike dhe ambasadorët e akredituar duhet të aktivizohen për parandalimin e skenarit të zi që do të djegë këtë vend dhe Shqipërinë”, përfundoi Këlliçi.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info