Ish-zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Ismet Ibishi, ka theksuar se nuk sheh mundësi për një luftë serioze në Kosovë, pavarësisht tensioneve dhe deklaratave nga zyrtarët serbë.
Kjo deklaratë erdhi pas komenteve të zëvendëskryeministrit të parë dhe ministit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca, i cili në një intervistë për Hungary Insider shprehu se ambiciet territoriale të Serbisë përbëjnë një kërcënim serioz për sovranitetin e Kosovës dhe stabilitetin në rajon.
Ibishi theksoi se, pavarësisht shqetësimeve që vijnë nga Serbia, prania e forcave të NATO-s në Kosovë dhe kapacitetet e institucioneve të sigurisë janë faktorë kyç për përballimin e situatave të mundshme.
Ai përmendi sulmin në Banjskë, duke theksuar se, pavarësisht tendencave për një konflikt serioz dhe marrjen e veriut të Kosovës, institucionet ishin të gatshme të reagonin.
Sipas Ibishit, në këtë moment nuk sheh ndonjë rrezik për një luftë serioze në Kosovë, megjithatë ai theksoi se institucionet e rendit janë në gatishmëri të shtuar gjatë zgjedhjeve dhe ngjarjeve të rëndësishme. “Prej një fqinji të tillë (Serbia) kurrë nuk mund të presim diçka të mirë, por mendoj që duke pasur parasysh prezencën e forcave të NATO-s në Kosovë dhe si përgjegjësi ekskluzive për sigurinë e Kosovës, mendoj që edhe si shtet me kapacitetet tona të mirë të përgatitura e të stërvitura për tu përgjigjur në një luftë me përmasa të vogla, jemi të gatshëm, ashtu siç ishim gjatë rastit të Banjskës, që kishte tendencë për një konflikt serioz për marrjen e veriut të Kosovës.
Nuk e shoh një rrezik potencial, por organet e rendit marrin masa kur ka zgjedhje e ngjarje të tilla, dhe nuk shoh të mundshme ndonjë luftë serioze në trojet tona”, u shpreh Ibishi.
Ai komentoi gjithashtu deklaratën e zëvendëskryeministrit serb, Ivica Daçiq, se flamuri serb do të valojë në Prizren.
Ibishi e cilësoi këtë deklaratë si pjesë të retorikës politike për mbledhjen e votave para zgjedhjeve në Serbi, duke theksuar se pretendimi i tillë mbetet vetëm një dëshirë e politikanëve serbë. “Një gjë e tillë nuk do të ndodhë kurrë”, është shprehur Ibishi.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





