Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka shprehur reagimin e tij pas rekomandimit të Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) për suspendimin e tre zyrtarëve policorë, të cilët dyshohet se janë përfshirë në ngacmim seksual dhe kontrollim të paligjshëm.
Sveçla e ka mirëpritur angazhimin e përbashkët të IPK-së dhe Policisë së Kosovës për hetimin e këtij rasti, duke theksuar se keqpërdorimi i pozitës dhe autoritetit zyrtar nuk do të tolerohet.
Ai ka deklaruar se nuk do të lejojë që veprimet e individëve të njollosin imazhin e Policisë së Kosovës dhe të anëtarëve që, sipas tij, shërbejnë me profesionalizëm për sigurinë e qytetarëve. “Pa asnjë kompromis dënojmë çdo keqpërdorim që bëhet për çfarëdo përfitimi në emër të saj”, ka shkruar Sveçla.
Ministri gjithashtu ka theksuar se besimi i qytetarëve në Policinë e Kosovës ndërtohet mbi profesionalizmin, integritetin dhe përgjegjësinë, ndërsa IPK-në e ka cilësuar si mekanizëm thelbësor të llogaridhënies për trajtimin e shkeljeve.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





