IPAK kërkon shqyrtim të procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Instituti për Avancim Kombëtar i ka drejtuar një letër institucioneve të Bashkimit Evropian, Këshillit të Evropës, Kombeve të Bashkuara, dhe presidentëve të Shteteve të Bashkuara, Francës, Gjermanisë e Italisë, duke kërkuar një shqyrtim të plotë të procesit gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Në këtë letër, kërkohet që aktgjykimi i shkallës së parë dhe provat vendimtare të shqyrtohen me kujdes nga instanca e apelit.

Sipas tyre, nëse pas këtij shqyrtimi nuk provohet përgjegjësia individuale e katër të akuzuarve përtej dyshimit të arsyeshëm, ata duhet të lirohen sipas ligjit.


- Advertisement -

Letra përmban shqetësime mbi mënyrën e trajtimit të provave dhe dëshmive të mbrojtjes, besueshmërinë e disa dëshmive, trajtimin e provave shfajësuese dhe lidhjen mes incidenteve të veçanta dhe përgjegjësisë individuale të të akuzuarve.

Nënshkruesit theksojnë se një incident i kryer nga individë në terren nuk mund të nënkuptojë automatikisht përgjegjësinë penale të drejtuesve politikë ose të Shtabit të Përgjithshëm.

Një pjesë e veçantë e letrës i kushtohet raportit të Dick Martyt të vitit 2011.

Nënshkruesit theksojnë dallimin mes pretendimeve të paraqitura në atë raport dhe akuzave të përfshira më pas në aktakuzën ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit.

Ata kërkojnë që institucionet ndërkombëtare të sqarojnë se cilat nga pretendimet fillestare janë verifikuar dhe çfarë ndikimi kanë pasur në krijimin e Dhomave të Specializuara.

Dokumenti përmend gjithashtu mbrojtjen e Dick Martyt nga autoritetet zvicerane, dhe nënshkruesit e paraqesin këtë si një çështje që kërkon hetim të mëtejshëm, duke theksuar se nuk kanë gjetur prova të mjaftueshme për të pohuar se raporti i Martyt ishte i sajuar nga Serbia në bashkëpunim me Rusinë.

Letra kërkon gjithashtu një vlerësim të pavarur dhe transparent të funksionimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës, duke përfshirë mënyrën e trajtimit të provave të Prokurorisë dhe mbrojtjes, verifikimin e pretendimeve për parregullsi procedurale dhe publikimin e një raporti mbi përfundimet e këtij vlerësimi.

IPAK-u kërkon gjithashtu krijimin e një Komisioni Mbikëqyrës të Pavarur, ku do të merrnin pjesë përfaqësues të institucioneve të Kosovës, ekspertë ndërkombëtarë të së drejtës penale, përfaqësues të Këshillit të Evropës, institucioneve të BE-së dhe organizatave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

Në pjesën tjetër të dokumentit, autorët kërkojnë që në trajtimin e krimeve të luftës në Kosovë të zbatohet parimi i barazisë para drejtësisë.

Ata kërkojnë hetim dhe ndjekje penale për ata persona për të cilët ekzistojnë prova të besueshme për krime të kryera gjatë luftës, pavarësisht përkatësisë së tyre ose palës në konflikt.

Letra u referohet gjithashtu dëshmive të disa zyrtarëve dhe diplomatëve ndërkombëtarë, si Wesley Clark, James Rubin, Christopher Hill dhe John Duncan, lidhur me strukturën dhe funksionimin e UÇK-së gjatë luftës.

Sipas letrës, këto dëshmi janë relevante për vlerësimin e çështjes së autoritetit dhe kontrollit faktik mbi strukturat e UÇK-së.

Gjithashtu, kërkohet që pas shqyrtimit të plotë në apel, katër ish-krerët e UÇK-së të lirohen nëse fajësia individuale e tyre nuk provohet sipas standardit penal “përtej dyshimit të arsyeshëm”.

Theksohet se aktgjykimi i 16 shtatorit 2026 është i shkallës së parë dhe jo përfundimtar.

Në përfundim të letrës, IPAK u bën thirrje institucioneve ndërkombëtare për drejtësi të paanshme, transparencë dhe trajtim të barabartë të viktimave dhe të akuzuarve.

Autorët theksojnë se kërkesa e tyre nuk është për privilegj apo imunitet, por për përgjegjësi penale individuale, prova të verifikueshme dhe procese të drejta.

Burimi origjinal i informacionit: zeri .info


- Advertisement -

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *