Deputeti i PDK-së, Mergim Lushtaku, ka shprehur mendimin e tij para fillimit të seancës së Kuvendit, duke theksuar rëndësinë e unifikimit të spektrit politik mbi çështjen e Gjykatës Speciale.
Ai ka theksuar se kjo çështje nuk duhet të lidhet me procesin e zgjedhjes së Presidentit, pasi, siç e vlerëson ai, bëhet fjalë për dy procese të ndryshme. “Unë nuk do ta lidhja këtë pjesë me Presidentin, sepse kjo është një pjesë që kërkon unifikim.
Pjesa e Presidentit është më shumë çështje e negociatave politike,” ka deklaruar Lushtaku.
Deputeti ka kërkuar që çështja e Dhomave të Specializuara të trajtohet në mënyrë të unifikuar nga subjektet politike, duke theksuar se qytetarët po kërkojnë një qëndrim të përbashkët nga politika. “Nuk duhet të mendohet fare çështja e kërkesave edhe kushteve, nëse do ta mbështesësh qëndrimin politik apo edhe projektligjin për Dhomat e Specializuara.
Në rast se ju nuk e votoni Presidentin, ne nuk i votojmë këto qëndrime,” ka thënë ai.
Lushtaku gjithashtu ka theksuar se qytetarët e Kosovës, përfshirë të rinjtë, gratë dhe burrat, po kërkojnë që politika të unifikohet rreth çështjes së Dhomave të Specializuara. “Qytetarët e Kosovës po kërkojnë një gjë, që të diskutohet edhe nga politika dhe të ketë unifikim rreth Dhomave të Specializuara.
Të tregohet se ajo është një gjykatë politike dhe se asaj gjykate politike nuk mund t’i referohen në emër të popullit të Kosovës,” është shprehur deputeti i PDK-së.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





