Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, ka shënuar Ditën Ndërkombëtare të Personave të Moshuar me mesazhin: “Epoka e jetëgjatësisë: Përshtatja e sistemeve për një jetë më të gjatë dhe më të mirë.” Aktiviteti u fokusua në rëndësinë e moshimit të shëndetshëm, parandalimin, aktivitetin fizik, kujdesin e integruar, shëndetin mendor dhe krijimin e mjediseve miqësore për të moshuarit.
Drejtoresha Ekzekutive e IKSHPK-së, Prof.
Asst.
Dr.
Ardita Baraku, theksoi se synimi nuk është vetëm të jetojmë më gjatë, por të kemi më shumë vite të jetuara me shëndet, pavarësi, pjesëmarrje dhe dinjitet.
Drejtoresha e Departamentit të Shërbimeve Shëndetësore në Ministrinë e Shëndetësisë, Dr.
Merita Vuthaj, nënvizoi rëndësinë e përshtatjes së sistemit shëndetësor me nevojat e një popullsie që jeton më gjatë dhe zhvillimin e shërbimeve të orientuara drejt nevojave të personave të moshuar.
Zëri i personave të moshuar ishte po ashtu pjesë e rëndësishme e aktivitetit.
Përfaqësuesi i Këshillit të Pacientëve të Moshuar të QKMF-së në Lipjan, Alush Bikliqi, theksoi se “ne, të moshuarit, duam të dëgjohemi” dhe se përvojat, nevojat dhe sugjerimet e tyre duhet të merren parasysh në planifikimin dhe përmirësimin e shërbimeve shëndetësore.
Dr.
Elvira Rasimi, përfaqësuese e projektit AQH, theksoi rëndësinë e shërbimeve shëndetësore cilësore dhe të qasshme për personat e moshuar, duke theksuar se nevojat dhe mendimi i tyre kanë rëndësi dhe se kujdesi për shëndetin duhet të përfshijë kontrollet e rregullta, vizitat te mjeku familjar dhe aktivitetin fizik.
Aktiviteti u pasurua edhe me një sesion të aktivitetit fizik me personat e moshuar, të zhvilluar në oborrin e IKSHPK-së, duke përcjellë mesazhin se lëvizja dhe aktiviteti i rregullt janë pjesë e rëndësishme e një jete më të shëndetshme dhe aktive.
Mesazhi i përbashkët i aktivitetit ishte se nuk mjafton vetëm të jetojmë më gjatë, por duhet të krijojmë kushtet që vitet e jetës së shtyrë po ashtu të jenë vite me shëndet, aktivitet, pavarësi, siguri dhe dinjitet. “Jetëgjatësia është një arritje.
Le ta shndërrojmë atë në jetëgjatësi të shëndetshme!
Jetë më e gjatë dhe më e mirë – për të gjithë!”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info




