Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, ka theksuar se partia e saj nuk është mashtruar apo tradhtuar, por ka vepruar në përputhje me parimet e saj.
Ajo ka kërkuar që përgjegjësia për vendimet politike të mos u faturohet individëve.
Në një reagim në Facebook, Musliu-Shoshi ka theksuar se PDK-ja ka kontribuar në ndërtimin e institucioneve të Kosovës dhe ka treguar përkushtim në mbrojtjen e sakrificës dhe luftës çlirimtare. “Prandaj, mos i ktheni shigjetat kah Bedri Hamza e kah PDK-ja!”, shkroi ajo.
Ajo theksoi se nuk është e drejtë të kërkohet dorëheqje individuale për vendime që nuk janë marrë nga një individ. “Përgjegjësia duhet të jetë aty ku janë marrë vendimet”, theksoi Musliu-Shoshi.
Ajo përfundoi duke rikujtuar se PDK-ja qëndron me përgjegjësi institucionale dhe ndaj vendit, duke e cilësuar Kosovën si atdhe dhe amanet që nuk duhet tradhtuar.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





