Në Prishtinë, u zhvilluan konsultimet politike ndërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Japonisë, në kuadër të dialogut të rregullt politik dhe institucional mes të dy vendeve.
Konsultimet u udhëhoqën nga sekretari i përgjithshëm i MPJD-së, Ilir Muçaj, dhe ambasadori i ngarkuar për Ballkanin Perëndimor në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Japonisë, Naoki Takahashi.
Gjatë këtyre konsultimeve, palët trajtuan marrëdhëniet politike mes Kosovës dhe Japonisë, bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar, zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese, si dhe mundësitë për iniciativa të reja për thellimin e bashkëpunimit bilateral.
Palët gjithashtu shkëmbyen pikëpamje mbi zhvillimet dhe sfidat rajonale, duke përfshirë çështjet e sigurisë dhe bashkëpunimit rajonal, procesin e integrimit evropian të Kosovës, si dhe çështje të tjera me interes të përbashkët në kuadër të bashkëpunimit shumëpalësh.
U diskutua po ashtu edhe për mundësitë e bashkëpunimit më të ngushtë në forumet ndërkombëtare dhe mbështetje për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në organizata ndërkombëtare.
Këto konsultime rikonfirmuan rëndësinë e dialogut të rregullt mes dy vendeve dhe gatishmërinë e përbashkët për të vazhduar angazhimin në forcimin e marrëdhënieve Kosovë–Japoni dhe zgjerimin e bashkëpunimit në fusha të interesit të ndërsjellë.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





