temp image 126 temp image 126

Shpend Ahmeti kritikon politikat ekonomike të Qeverisë: Rritja e pagave pa zhvillim të qëndrueshëm

- Advertisement -

Ish-kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka shprehur kritika ndaj politikave ekonomike të Qeverisë së Kosovës, duke theksuar se rritja e pagave, pensioneve dhe shtesave për fëmijë nuk mund të trajtohet veçmas nga rritja e çmimeve dhe vështirësitë që po përballin qytetarët për të mbuluar koston e jetesës.

Në një reagim, Ahmeti është shprehur se Kosova po kalon një periudhë të lartë inflacioni, pavarësisht se përdor euron si valutë.

Ai ka ngritur shqetësime mbi ndikimin e politikave shtetërore në ekonominë e vendit. “Vështirë është me u kritiku rritja e pagave, shtesat për fëmijë e pensionet.

Pak ka njerëz që nuk i gëzohen këtyre lajmeve.

Por në të njëjtën kohë çmimet po rriten dhe përballimi me koston e jetës çdo ditë po bëhet më i vështirë,” ka shkruar Ahmeti.

Ai ka theksuar se një pjesë e rritjes së çmimeve është rezultat i inflacionit të importuar, por gjithashtu ka vlerësuar se politikat e brendshme shtetërore po kontribuojnë në këtë situatë.

Sipas Ahmetit, inflacioni i lartë, në mungesë të masave për sektorin privat dhe investimeve kapitale në prodhim, po ndikon në uljen e kursimeve të qytetarëve dhe rritjen e të hyrave të shtetit përmes tatimit mbi vlerën e shtuar (TVSH).

Ai ka argumentuar se qytetarët, për shkak të rritjes së shpenzimeve mujore, po detyrohen të përdorin kursimet e tyre për të përballuar nevojat bazë.

Ahmeti gjithashtu ka kritikuar mënyrën se si, sipas tij, po shpenzohen të hyrat shtesë të buxhetit, duke thënë se ato po orientohen kryesisht në ndihma sociale, shtesa dhe rritje të pagave në sektorin publik, pa investime të mjaftueshme në prodhimin vendor.

Sipas tij, një pjesë e madhe e këtyre mjeteve shpenzohet për produkte të importuara dhe energji elektrike që Kosova nuk arrin ta prodhojë në sasinë e nevojshme.

Ai ka paralajmëruar se mungesa e prodhimit vendor dhe rritja e kostove të punës, pa rritje të produktivitetit, mund ta dobësojnë konkurrueshmërinë e bizneseve kosovare dhe t’i thellojnë problemet ekonomike. “Me thënë shkurt e shqip, ky buxhet dhe këto politika po blejnë qetësi sociale afatshkurtër.

Po subvencionojmë importe dhe po i ngremë çmimet.

Nuk po krijojmë kapital dhe pasuri të re brenda shtetit,” ka shkruar Ahmeti.

Ai ka theksuar se, për shkak se Kosova përdor euron, mundësitë për të përdorur politika monetare përmes normave të interesit janë të kufizuara, duke e bërë edhe më të rëndësishëm investimin në prodhimin vendor dhe infrastrukturë. “Kryeministër, kushdo që po të këshillon për ekonomi, ose nuk po din, ose po ta bën gropën.

Por bashkë me vete, po na bën gropen edhe krejt Kosovës.

Këto politika janë shumë afatshkurtra dhe mund të duken mirë në sipërfaqe.

Por ekonomikisht janë thellësisht vdekjeprurëse në afatgjatë.” Ahmeti i ka bërë thirrje Qeverisë që të përqendrohet më shumë në krijimin e vlerës ekonomike dhe zbatimin e projekteve kapitale, në vend që të mbështetet kryesisht në masa që nxisin konsumin. “Nuk mjafton vetëm futja e projekteve në buxhet, edhe pse edhe si vlerë janë të pamjaftueshme.

Duhet edhe implementimi i tyre.

Konsultoni çdo libër, të majtë apo të djathtë.

Nuk është çështja te rishpërndarja, por te krijimi i vlerës për me pasë çka me rishpërnda,” ka shtuar Ahmeti.

Burimi origjinal i informacionit: zeri .info

- Advertisement -