Sot, Lëvizja Vetëvendosje ka mbledhur Këshillin e Përgjithshëm, ku ndër temat kryesore të diskutimit janë zhvillimet e fundit politike dhe procesi i ardhshëm zgjedhor.
Para mbledhjes, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, u pyet nëse mund të ketë ndryshim të kryetarit të Vetëvendosjes, dhe ajo shprehu se nuk sheh asnjë arsye për një hap të tillë.
Haxhiu theksoi se kryetari i Lëvizjes ka mbështetje të madhe nga qytetarët dhe është personi më i votuar në Republikën e Kosovës. “Është e rëndësishme që të fillojmë një proces të mirë zgjedhor.
Kryetari i VV-së ka mbështetjen më të madhe qytetare.
Nuk shoh asnjë arsye që VV-ja të bëjë diçka në këtë drejtim, pasi është personi më i votuar në Republikën e Kosovës”, tha ajo.
Ajo gjithashtu njoftoi se do t’i informojnë për vendimet e marra pas mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm.
Ndryshe, disa ditë më parë, LVV-ja, pas një mbledhjeje të përbashkët me drejtuesit e Qendrave të Lëvizjes në Kosovë dhe në mërgatë, njoftoi se janë pajtuar për shpalljen e zgjedhjeve të brendshme në këtë parti.
Në atë njoftim, LVV-ja theksoi se zgjedhjet e brendshme janë një proces i rëndësishëm demokratik për ripërtëritjen, konsolidimin dhe fuqizimin e mëtejmë të strukturave të saj. “Zgjedhjet e brendshme përbëjnë një proces të rëndësishëm demokratik për ripërtëritjen, konsolidimin dhe fuqizimin e mëtejmë të strukturave tona.
Ato janë mundësi për mobilizim më të fuqishëm organizativ, për zgjerimin e pjesëmarrjes së anëtarësisë, për avancimin e kuadrove dhe për forcimin e lidhjes së drejtpërdrejtë të Lëvizjes me qytetarët në çdo nivel të organizimit”, u tha në njoftimin e LVV-së.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info
