Për të katërtën ditë me radhë, qytetarë dhe aktivistë janë mbledhur në Prishtinë, duke kërkuar llogari nga institucionet për dështimin në mbrojtjen e Arlinda Zekaj, 49-vjeçares që u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës.
Protesta, e organizuar nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, nisi nga sheshi “Zahir Pajaziti” dhe vazhdoi drejt Qeverisë së Kosovës. “Duam shkarkime, duam burgime…” thonë protestuesit, të cilët tashmë kërkesat e tyre nuk i kufizojnë vetëm në dorëheqje politike.
Ata kërkojnë shkarkimin e zyrtarëve që kanë qenë të përfshirë në trajtimin e rastit, një hetim të plotë dhe ndjekje penale për ata që dyshohet se kanë neglizhuar thirrjet e Arlindës për ndihmë. “Shkarkimi i ministres së Drejtësisë dhe ministrit të Punëve të Brendshme!
Kërkojmë që femicidi të trajtohet si urgjencë kombëtare!
Kërkojmë sigurim të banimit social për të mbijetuarat e dhunës familjare!” ka thënë aktivistja Rozafa Maliqi.
Qytetarët vazhduan marshimin edhe para Këshillit Gjyqësor të Kosovës, duke theksuar se rasti i Arlindës nuk është vetëm një kërkesë për drejtësi për një viktimë, por edhe një thirrje për ndryshim në mënyrën se si institucionet reagojnë ndaj dhunës në familje dhe mbrojnë jetën e grave.
Protestat për drejtësi për Arlinda Zekajn janë zgjeruar edhe në Pejë e Mitrovicë, ku qytetarët kanë marshuar para institucioneve përgjegjëse.
Kolektivi Feminist ka paralajmëruar se mobilizimi do të vazhdojë edhe në ditët në vijim, deri në përmbushjen e kërkesave.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info
