Më shumë se 2 mijë efektivë të Policisë së Shtetit janë angazhuar në ditën e 19-të të protestës së studentëve që po zhvillohet sot në Tiranë.
Forcat e policisë janë dislokuar në pjesën e pasme të godinës së kryeministrisë, ndërsa në gatishmëri janë edhe autobotët me ujë me presion dhe efektivët e ndërhyrjes së shpejtë, të pajisur me mjete speciale.
Për masat e sigurisë janë angazhuar forcat Shqiponja, FNSH, efektivë nga komisariatet e kryeqytetit, agjentë civilë dhe dronë për monitorimin e protestuesve.
Dronët dhe kamerat e sigurisë me rezolucion të lartë do të përdoren për të identifikuar dhe dokumentuar çdo shkelje ligjore.
Protesta e sotme zhvillohet nën zbatimin e aktit të ri normativ për tubimet, i cili i jep kompetenca shtesë policisë dhe parashikon sanksione administrative për shkelësit.
Gjobat variojnë nga 10 mijë deri në 500 mijë lekë, në varësi të shkeljes, duke përfshirë mosbindjen ndaj urdhrit për shpërndarjen e tubimit dhe mbulimin e fytyrës.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info
