Avokati i Popullit, Naim Qelaj, theksoi sot se Kosova ka nevojë për një diskutim të gjerë në nivel nacional për të vendosur barazinë gjinore, dhunën ndaj grave dhe dhunën në familje si një çështje të rëndësishme kombëtare.
Ai i bëri këto komente gjatë një takimi në Komisionin për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore dhe Peticione, ku u trajtua edhe rasti tragjik i vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës.
Qelaj theksoi se rasti i Arlinda Zekajt tregon për dështime të mundshme të shtetit në parandalimin e ngjarjeve të tilla. “Shihni rastin e fundit, ndërhyjnë familjarë që nuk kanë të drejta pronësore dhe vije deri te një rast tragjik, natyrisht me dështimin e shtetit, nëse konstatohet që ka pasur dështime, e po shihet se mund të ketë pasur dështime.
Një prej qëndrimeve të mija dhe rekomandimeve që e kam dhënë është se Kosova ka nevojë për një diskutim në nivel nacional për të vendosur barazinë gjinore, dhunën ndaj grave dhe dhunën në familje si interes nacional dhe jo të diskutohet vetëm në nivel të rasteve të izoluara.
Për këtë besoj jemi vonë, por më mirë të fillojmë tash.
Rastin e fundit e kemi hapur për hetim.
Ekzistojnë një numër i madh i mekanizmave ku adresohen, e keni parë se ku e ndjera është adresuar, është adresuar në polici, prokurori, Qendrën për Punë Sociale, te Mbrojtësi i Viktimave e te shumë mekanizma që duhet të reagojnë, duke e përfshirë këtu edhe nivelin lokal, pra edhe Komuna e Pejës është e përfshirë,” tha Qelaj.
Ai ndau gjithashtu një rast tjetër shumë të ndjeshëm, i cili mund të përfundojë me pasoja fatale për një grua që kërkonte mbështetje institucionale, por që nuk i ishte ofruar ndihmë me arsyetimin se s’ka bazë ligjore. “Unë sot dua ta ndaj me ju një shqetësim, kam menduar shumë ta diskutoj publikisht apo jo, sepse është rast shumë i ndjeshëm, por ne dje dhe javën e kaluar kemi pranuar një rast shumë të ndjeshëm nga një komunë e Kosovës, në lidhje me një viktimë të ndjeshëm, e cila ka kërkuar mbështetje prej komunës, nuk i është ofruar me arsyetimin se nuk ka bazë ligjore dhe ne e kemi pasur një paralajmërim prej saj se mund të ketë pasoja çfarë mund të jenë.
Unë nuk e di sa keni interes ju si komision, unë më vonë mund të shpërndajë informata te ju,” tha Qelaj.
Arlinda Zekaj u vra nga kunati i saj të dielën në Vitomiricë të Pejës.
Vrasja e saj u dënua ashpër nga qytetarët dhe institucionet.
Tash e sa ditë po mbahen protesta në qytete të ndryshme të vendit tonë.
Në lidhje me rastin, sot ka dhënë dorëheqje drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës Gazmend Hoxha, ndërsa dje janë suspenduar kryeprokurorja në Pejë Lumturie Vuçetaj, prokurorja Arlinda Nallbani-Gacaferri dhe 11 zyrtarë policorë.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info
