Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, është intervistuar si i pandehur në kuadër të hetimeve për rastin penal ‘Arkitekti i Kryeqytetit’.
Kjo ka ndodhur nën dyshimet për veprën penale ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’, sipas informacioneve nga Prokuroria Speciale e Kosovës.
Në një përgjigje me shkrim për Ekonomia Online, zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Arbnora Luta, konfirmoi se janë ndërmarrë veprime hetimore ndaj Ramës në lidhje me këtë rast. ‘Lidhur me çështjen për të cilën keni kërkuar informata, Prokuroria Speciale ju njofton se personi me inicialet P.R. është intervistuar në cilësinë e të pandehurit, në kuadër të veprimeve hetimore që Prokuroria është duke i zhvilluar në rastin penal ‘Arkitekti i Kryeqytetit’, lidhur me dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’, tha Luta.
Ajo gjithashtu theksoi se Prokuroria Speciale po vazhdon me veprimet hetimore dhe procedurale në përputhje me legjislacionin në fuqi. ‘Prokuroria Speciale është duke i ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore dhe procedurale në përputhje me legjislacionin në fuqi’, shtoi ajo.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info
