Juristja e medias, Flutura Kusari, ka shprehur shqetësimin e saj pas vendimit të Gjykatës së Apelit, e cila ka vendosur të mbyllë për publikun seancën e Kolegjit ku do të shqyrtohen ankesat lidhur me vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Në këtë rast, Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla janë shpallur fajtorë dhe janë dënuar për vrasjen e Liridona Ademajt më 29 nëntor 2023.
Ajo ka theksuar se nuk ka asnjë arsye që një veprim i tillë të ndodhë dhe ka shtuar se kjo mungesë e transparencës do të dëmtojë imazhin e Gjykatës së Apelit. “Nuk ka asnjë arsye ligjore që seanca e Apelit në rastin e Liridona Ademajt mos të jetë publike.
Në fakt, ky ishte një moment shumë i rëndësishëm pas vrasjes së Arlindës, ku Gjykata e Apelit duhej të tregonte se është këtu për të mbrojtur gratë nga femicidi.
Ajo që pamë sot ishte një vendim që është i paarsyetum, pasi mbyllja e një seance gjyqësore nuk justifikohet me asnjë arsye ligjore.
Të gjitha rrethanat rreth këtij rasti janë publike.
Ne kemi parë gjithçka që duhej të shihnim, kështu që nuk ka asnjë arsye ligjore për këtë veprim.
Kjo mungesë e transparencës do të dëmtojë Gjykatën e Apelit dhe do të dërgojë një mesazh se rastet e femicidit nuk gjykohen me transparencë të plotë,” ka thënë ajo.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info
