BallinaPolitikStrategjia e Diplomacisë Kulturore: Roli i Kosovës në Shpjegimin e Luftës Çlirimtare

Strategjia e Diplomacisë Kulturore: Roli i Kosovës në Shpjegimin e Luftës Çlirimtare

- Advertisement -

Deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, ka theksuar rëndësinë e ndërtimit të një strategjie të diplomacisë kulturore, publike dhe historike për Kosovën, me qëllim që të shpjegohet para botës konteksti i luftës çlirimtare dhe rruga drejt lirisë e pavarësisë.

Gjatë fjalimit të saj në Kuvend, Hoxha theksoi se përveç mbështetjes juridike, politike dhe financiare për procesin e apelit në Dhomat e Specializuara, është e domosdoshme një angazhim i organizuar diplomatik dhe kulturor. “Kosova ka nevojë për një strategji të diplomacisë kulturore, publike dhe historike që e shpjegon luftën çlirimtare në kontekstin e saj të plotë, mbron dinjitetin e luftës për liri dhe njëkohësisht respekton drejtësinë, të drejtat e viktimave dhe pavarësinë e procesit gjyqësor,” deklaroi Hoxha.

Ajo theksoi se kjo strategji duhet të shkojë përtej reagimeve ndaj aktgjykimeve dhe të kthehet në një investim afatgjatë për prezantimin ndërkombëtar të historisë, identitetit dhe përvojës së Kosovës.

Hoxha kritikoi qasjen e deritanishme institucionale, duke e vlerësuar atë si kryesisht reaktive.

Në gjashtë vitet e fundit, aktivitetet kulturore që trajtojnë të vërtetën historike të Kosovës kanë qenë të pakta jashtë vendit.

- Advertisement -

Ajo ngriti shqetësimin për investimet e Serbisë në prodhime filmike dhe aktivitete diplomatike që, sipas saj, deformojnë historinë e luftës në Kosovë. “Kosova duhet të kthejë kokën kah vetja, të mundësojë më shumë aktivitete kreative cilësore që shpalosin historinë tonë në mënyra bashkëkohore të komunikimit artistik,” theksoi ajo.

Deputetja e PDK-së kërkoi që të sigurohen materiale fotografike të luftës nga fotografët vendorë dhe agjencitë e huaja, si dhe rritjen e fondeve për hulumtime shkencore dhe botime akademike për historinë e re të Kosovës.

Sipas saj, angazhimi duhet të mbështetet në diplomacinë historike, kulturore, akademike, mediatike dhe qytetare, duke përfshirë diasporën dhe aleatët.

Hoxha gjithashtu kërkoi vendosjen e atasheve kulturorë në ambasadat e Kosovës dhe hartimin e Strategjisë së Kulturës.

Ajo kritikoi mungesën e rezultateve në këto drejtime, pavarësisht marrëveshjes ndërmjet ministrive përkatëse në vitin 2020 dhe miratimit të koncept dokumentit për art dhe kulturë në vitin 2022.

Në përfundim, ajo bëri thirrje që Strategjia Shtetërore për Dhomat e Specializuara të përfshijë edhe aktivitete paralele diplomatike dhe kulturore, të cilat ndihmojnë në kuptimin ndërkombëtar të luftës së Kosovës. “Ju ftoj që në kuadër të Strategjisë Shtetërore për Dhomat e Specializuara të zgjerohet domeni i saj me aktivitete paralele shtesë që nuk e prekin apelin drejtpërdrejt, por krijojnë kontekst për partnerët tanë ndërkombëtarë ta kuptojnë në thelb kontekstin e luftës sonë për liri,” tha Hoxha.

Burimi origjinal i informacionit: zeri .info

- Advertisement -
RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments