Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu, ka kërkuar llogaridhënie urgjente nga Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) në lidhje me rastin e Arlindës, duke ngritur pyetje për veprimet dhe mosveprimet e institucioneve përgjegjëse.
Deliu, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka vënë në dukje se kujt tjetër duhej t’i drejtohej Arlinda për të kërkuar ndihmë, duke kritikuar arsyetimet lidhur me institucionet të cilave ajo u ishte drejtuar.
Sipas deputetes së PDK-së, kërkesat e Arlindës ishin dërguar edhe Këshillit Prokurorial të Kosovës.
Ajo bëri të ditur se ishte arritur një dakordim që KPK-ja të ftohej të martën në Komisionin për Legjislacion, por sipas saj, ftesa dhe mbledhja nuk u realizuan. “Pse po vonohet llogaridhënia?”, pyeti Deliu, duke kërkuar që Këshilli Prokurorial të raportojë sa më shpejt dhe të ofrojë dokumente e përgjigje për çdo veprim dhe mosveprim në këtë rast.
Ajo theksoi se Arlinda kishte kërkuar mbrojtje nga shteti, ndërsa kërkoi që familja e saj të informohet se çfarë kanë bërë institucionet për ta mbrojtur. “Këshilli Prokurorial duhet të raportojë urgjentisht, me dokumente dhe përgjigje për çdo veprim e mosveprim.
Arlinda kërkoi mbrojtje nga shteti.
Familja e saj meriton ta dijë çfarë bëri shteti për të”, deklaroi Deliu.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info
