Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka reaguar sot lidhur me vendimin për transferimin e tij nga IEVP Durrës në Burgun e Fierit.
Ai e ka cilësuar këtë veprim si një akt pa transparencë dhe “rrëmbim policor”.
Në një postim në rrjetin social Facebook, Veliaj i ka bërë thirrje Ministrit të Drejtësisë, Avokatit të Popullit dhe Komitetit Shqiptar të Helsinkit, duke kërkuar ndërhyrje urgjente për të verifikuar shkaqet e asaj që ai e quan “transferim politik”.
Sot, një grup punonjësish të Policisë së Burgjeve, të dërguar nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, kanë ardhur në IEVP Durrës për të transferuar Veliajn në burgun e Fierit.
Pavarësisht kërkesave të shumta, si nga ai ashtu edhe nga avokati i tij, për t’u njohur me aktin që urdhëron transferimin dhe arsyet që e justifikojnë atë, është refuzuar dhënia e këtij dokumenti.
Një transferim i detyruar, pa u njohur me aktin dhe arsyet ligjore mbi të cilat mbështetet, për Veliajn përbën një rrëmbim policor dhe cenon rëndë të drejtat e tij.
Ai thekson se nuk ka dhënë pëlqimin për këtë transferim dhe ka kundërshtuar mënyrën se si po realizohet, duke e konsideruar atë pa transparencë dhe pa mundësuar ushtrimin efektiv të të drejtave të tij ligjore.
Veliaj i kërkon publikisht Ministrit të Drejtësisë, Avokatit të Popullit dhe Komitetit Shqiptar të Helsinkit të ndërhyjnë urgjentisht, për të verifikuar arsyet dhe shkaqet e këtij transferimi politik.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info
