Edicioni i 71-të i Eurovisionit do të zhvillohet në maj të vitit 2027 në qytetin bullgar Burgas, me pjesëmarrjen e 36 vendeve.
Lista e shteteve pjesëmarrëse është konfirmuar, ndërsa organizimi i festivalit do t’i besohet transmetuesit publik bullgar BNT.
Dy gjysmëfinalet janë planifikuar për datat 11 dhe 13 maj, ndërsa finalja e madhe do të mbahet më 15 maj në Arenën e Burgasit.
Fituesja e vitit të kaluar, Dara, do të jetë ndër të pranishmet.
Cilat shtete do të garojnë në Eurovision 2027?
Pjesëmarrësit përfshijnë: Shqipëria, Armenia, Australia, Austria, Azerbajxhani, Belgjika, Bullgaria, Kanadaja, Kroacia, Qiproja, Danimarka, Estonia, Finlanda, Franca, Gjeorgjia, Gjermania, Greqia, Izraeli, Italia, Letonia, Lituania, Luksemburgu, Malta, Moldavia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Norvegjia, Polonia, Portugalia, Rumania, San Marino, Serbia, Suedia, Zvicra, Ukraina dhe Mbretëria e Bashkuar.
Një nga risitë kryesore të këtij edicioni është pjesëmarrja e Kanadasë, e cila do të garojë për herë të parë në historinë e Eurovisionit.
Transmetuesi publik kanadez CBC/Radio-Canada u bë anëtar i plotë i Unionit Evropian të Transmetuesve (EBU) në korrik të vitit 2026, duke hapur rrugën për debutimin e vendit në këtë festival muzikor.
Një tjetër zhvillim i rëndësishëm është rikthimi i Maqedonisë së Veriut, e cila do të rikthehet në garë pas katër vitesh mungesë.
Ndërkohë, Spanja dhe Sllovenia ende nuk e kanë konfirmuar pjesëmarrjen.
Sipas raporteve, EBU-ja ua ka zgjatur afatin transmetuesve publikë të të dyja vendeve deri në dhjetor, për shkak të kompleksitetit të situatës.
Në dy gjysmëfinalet do të garojnë gjithsej 31 shtete.
Nga secila gjysmëfinale, dhjetë këngë do të sigurojnë kualifikimin për në finalen e madhe, bazuar në votat e jurisë dhe publikut.
Në finale, 20 shteteve të kualifikuara do t’u bashkohen përfaqësuesit e Bullgarisë si vend organizator, si dhe ata të Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, të cilat e kanë të garantuar pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë në këtë fazë.
Shorti për përcaktimin e gjysmëfinaleve do të mbahet në janar të vitit 2027 në Burgas.
Shitja e biletave për nëntë programet e festivalit, përfshirë tri mbrëmjet konkurruese dhe gjashtë provat e hapura për publikun, pritet të nisë në fillim të vitit 2027.
Të gjithë ata që dëshirojnë të blejnë bileta do të duhet të regjistrohen paraprakisht në Eurofan, programin zyrtar dhe falas të anëtarësimit për adhuruesit e Eurovisionit.
Detajet për shitjen e biletave do të publikohen në faqen zyrtare të festivalit.
Burimi origjinal i informacionit: telegrafi .com
