Prokuroria Publike për Krimin e Organizuar në Serbi ka nisur një hetim lidhur me kallëzimet penale të paraqitura ndaj disa ambasadorëve serbë, ministrit të Jashtëm Marko Gjuriq, si dhe dy zyrtarëve të tjerë të Ministrisë së Punëve të Jashtme.
Këta zyrtarë dyshohet se janë përfshirë në keqpërdorimin e detyrës zyrtare dhe në vepra penale kundër të drejtave zgjedhore.
Prokurori përgjegjës ka kërkuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, konkretisht nga Shërbimi për Luftimin e Krimit të Organizuar (SBPOK), që të mbledhë informacionet e nevojshme.
Kërkesa për informacione është dërguar gjithashtu Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Komisionit Republikan të Zgjedhjeve.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, hetimi ka nisur pas dy kallëzimeve penale ndaj ambasadorit të Serbisë në Sllovaki, Aleksandar Nakiq, dhe ambasadorit serb në Shtetet e Bashkuara, Dragan Shutanovac.
Ata dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe shkelje të së drejtës së votës.
Më 20 tetor 2026, prokuroria kishte dërguar kërkesa për informacione në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Serbisë dhe Komisionin Republikan të Zgjedhjeve, për të vazhduar procedurat paraprake hetimore.
Pas kësaj, Prokurorisë për Krimin e Organizuar i janë dorëzuar edhe 13 kallëzime të tjera penale, përfshirë ato kundër ambasadorëve të përmendur më parë.
Kallëzimet e tjera përfshijnë ambasadoren e Serbisë në Francë, Ana Hrustanoviq; ambasadorin në Rumani, Dragan Simeunoviq; ambasadorin në Zvicër, Ivan Trifunoviq; ambasadorin në Bullgari, Milan Raviq; ambasadorin në Mal të Zi, Nebojsha Rodiq; ambasadorin në Australi, Rade Stefanoviq; ambasadorin në Kanada, Stefan Tomashoviq; dhe ambasadorin në Emiratet e Bashkuara Arabe, Vladimir Mariq.
Të gjithë këta dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, shkelje të së drejtës së votës dhe pengim të zhvillimit të procesit të votimit.
Po ashtu, kallëzime penale janë paraqitur ndaj ministrit të Jashtëm të Serbisë, Marko Gjuriq, shefit të Departamentit të Sigurisë në Sekretariatin e Përgjithshëm të Ministrisë së Punëve të Jashtme, Vesko Radoviq, dhe ushtruesit të detyrës së sekretarit të përgjithshëm të kësaj ministrie, Dushan Kozarev.
Gjuriq dhe Radoviq dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe shkelje të së drejtës së votës, ndërsa Kozarev për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
