Holanda ka vendosur të mos marrë pjesë në Eurovision 2027, vetëm një muaj pasi kishte njoftuar rikthimin në këtë garë muzikore që do të zhvillohet në Bullgari.
Ky vendim është marrë për shkak të ndasive që pjesëmarrja e Izraelit po shkakton në shoqëri dhe mes transmetuesve publikë holandezë.
Transmetuesi publik NPO njoftoi se, pas konsultimeve me përfaqësuesit e mediave publike, nuk është gjetur mbështetje e mjaftueshme për pjesëmarrjen e vendit në edicionin e ardhshëm.
Në fund të shtatorit, Holanda kishte konfirmuar rikthimin në garë, pasi transmetuesi AVROTROS kishte njoftuar më herët tërheqjen, duke e vlerësuar Eurovisionin si një ngjarje jo më neutrale.
Njoftimi për rikthimin kishte shkaktuar reagime të forta, ndërsa më shumë se 400 punonjës të mediave publike i kishin dërguar NPO-së një letër kundërshtimi.
Kryetarja e bordit të NPO-së, Jet de Ranitz, tha se kupton zhgënjimin e fansave, por theksoi se është shumë herët për të menduar për pjesëmarrjen në vitin 2027.
Drejtori i medias në NPO, Jurre Bosman, theksoi se pjesëmarrja e Izraelit po shkakton debate dhe përçarje, si në shoqëri ashtu edhe mes punonjësve të transmetuesve.
Megjithatë, publiku holandez do të mund ta ndjekë garën përmes transmetuesit NOS, i cili do të transmetojë gjysmëfinalet dhe finalen me komentim në gjuhën holandeze.
Eurovision 2027 do të mbahet në qytetin Burgas të Bullgarisë, me gjysmëfinalet më 11 dhe 13 maj, dhe finalja është planifikuar për 15 maj.
Holanda nuk është vendi i vetëm që ka vendosur të bojkotojë këtë ngjarje; Irlanda gjithashtu ka njoftuar bojkotin, ndërsa transmetuesi publik çek është tërhequr për arsye buxhetore.
Burimi origjinal i informacionit: telegrafi .com
