Vrasja e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës ka shkaktuar një debat të fortë në Komisionin Parlamentar për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes.
Anëtarja e Komisionit nga PDK-ja, Ganimete Musliu, ka kërkuar që javën e ardhshme të ftohet për raportim drejtori i përgjithshëm i Policisë, për të diskutuar mbi rastin dhe veprimet e institucioneve të sigurisë.
Megjithatë, propozimi i saj nuk ka marrë miratimin e nevojshëm, pasi kryetari i Komisionit, Mefail Bajqinovci, ka njoftuar se drejtori i përgjithshëm do të raportojë para anëtarëve të këtij komisioni muajin e ardhshëm. “Sot propozoj që në mbledhjen e radhës javën tjetër ta caktojmë datën të ftohet drejtori i Policisë së Kosovës dhe të raportojë specifikisht për këtë çështje”, tha Ganimete Musliu, anëtare e Komisionit. “E kemi planprogramin, drejtori do të jetë pas katër jave në komision dhe do të përgjigjet për të gjitha temat dhe shqetësimet që i kanë deputetët”, theksoi Mefail Bajqinovci, kryetar i Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes.
Nga ana tjetër, deputetja Shqipe Selimi theksoi se rasti i Arlinda Zekajt, si dhe rastet e tjera të dhunës në familje, duhet të trajtohen me seriozitet nga të gjitha institucionet përgjegjëse. “Nga ky komision ju bëjë thirrje të gjitha organeve ligjzbatuese si të prokurorisë, policisë dhe gjithë atyre që kanë të bëjnë me çështjet sociale të merren shumë seriozisht me këto tema dhe të mos i neglizhojnë, mos të mbetet faji te një grua apo i një gruaje mos të mbetet faji te Policia apo te Prokuroria”, pohoi Shqipe Selimi, anëtare e Komisionit.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info
