Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka njoftuar se sot, 209 rekrutë të rinj kanë filluar stërvitjen ushtarake bazë në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).
Kjo ndodh vetëm pak ditë pas betimit solemn të 515 të rinjve dhe të rejave, të cilët iu bashkuan radhëve të FSK-së. “Vetëm pak ditë pasi 515 të rinj dhe të reja dhanë betimin solemn dhe iu bashkuan radhëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, sot në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes, edhe 209 rekrutë të tjerë kanë filluar stërvitjen ushtarake bazë, gjatë së cilës do të zhvillojnë njohuritë dhe shkathtësitë e nevojshme ushtarake për t’i vënë në shërbim të mbrojtjes së vendit”, ka shkruar Maqedonci në Facebook.
Ai theksoi se përmes rekrutimeve të vazhdueshme, shkollimit dhe stërvitjeve ushtarake, po krijohen mundësi për gjeneratat e reja që të zhvillohen profesionalisht dhe të kontribuojnë në sigurinë dhe mbrojtjen e vendit. “Krahas investimeve në armatim dhe pajisje moderne, po vazhdojmë të investojmë edhe në përgatitjen e ushtarëve tanë, sepse personeli i mirëtrajnuar dhe profesional është themeli i një force të aftë dhe të gatshme për t’u përballur me sfidat e së ardhmes”, ka deklaruar Maqedonci.
Në fund, ministri u ka uruar suksese të gjithë rekrutëve në rrugëtimin e tyre ushtarak.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info
