E ardhmja e Julian Alvarez te Atletico Madrid mbetet e pasigurt, ndërsa Arsenali është një nga klubet që po ndjek situatën e sulmuesit argjentinas.
Sipas informacioneve të mëparshme, gjiganti londinez ka shfaqur interes për 26-vjeçarin, i cili është përfolur prej kohësh për një largim të mundshëm nga kryeqyteti spanjoll.
Alvarez shkaktoi shumë reagime gjatë Kupës së Botës 2026, kur shprehu publikisht dëshirën për t’u larguar nga Atletico dhe për të realizuar ëndrrën e tij për të luajtur te Barcelona.
Megjithatë, ai së fundmi u kërkoi falje tifozëve të Atleticos për ato deklarata, duke pranuar se kishte gabuar në mënyrën e shprehjes dhe në momentin kur i kishte bërë ato. “Ishte një gabim, si në mënyrën se si i thashë ato fjalë, ashtu edhe në kohën kur i thashë,” deklaroi Alvarez pas shënimit të golit të fitores kundër Deportivo La Coruna.
Pavarësisht spekulimeve, një transferim gjatë afatit kalimtar të janarit duket mjaft i vështirë, pasi Atletico Madrid raportohet se kërkon rreth 150 milionë euro për ta lejuar largimin e sulmuesit.
Kjo shumë përbën një pengesë të madhe për Arsenalin, që do të duhej të bënte një investim të jashtëzakonshëm për të siguruar shërbimet e reprezentuesit argjentinas.
Situata komplikohet edhe më shumë nga raportimet se Alvarez preferon të vazhdojë karrierën në futbollin spanjoll në rast se vendos të largohet nga Atletico Madrid.
