Numri i ankesave për qasje në dokumente publike në Kosovë ka pësuar një rritje të dukshme gjatë viteve të fundit, por kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se transparenca e institucioneve është përmirësuar.
Krenare Sogojeva-Dermaku nga Agjencia për Informim dhe Privatësi, thekson se nga 141 ankesa të regjistruara në vitin 2021, numri i tyre tani ka arritur mbi 1 mijë.
Sipas Sogojeva-Dermaku, kjo rritje tregon se qytetarët janë më të informuar për të drejtën e tyre për të kërkuar dokumente publike dhe se tashmë dinë se ku mund të paraqesin ankesa kur u mohohet kjo e drejtë.
Megjithatë, ajo thekson se një nga problemet kryesore mbetet hezitimi i institucioneve për të ofruar qasje në dokumentet e kërkuara. “Nëse flasim për fushën e qasjes në dokumente publike, numri i ankesave që na kanë ardhur për vite me radhë tregon se ky numër është rritur dhjetëfish.
Nëse filluam vitin 2021 me 141 ankesa, sot kemi mbi 1000 ankesa dhe deri në fund të vitit pritet të rritet edhe më shumë.
Këto janë tregues që dëshmojnë rritjen e këtij numri, por nuk do të thotë domosdoshmërisht se ka rritje të transparencës institucionale.
Tash qytetarët e dinë se ka një institucion ku mund të ankohen, por në anën tjetër ka hezitim nga institucionet për të ofruar qasje.
Më parë ka pasur procedura të prokurimit dhe kërkesa shumë më të thjeshta, ndërsa tani ka një fokus më të madh në dosje të caktuara shërbimesh që ofrohen nga institucionet.
Këtu përballë kemi edhe të dhëna personale që duhet të analizohet, dhe institucionet shpesh nuk ofrojnë shërbime për t’i fshehur këto të dhëna.
Ka raste kur qytetarët duhet të shkojnë fizikisht, pasi nuk ka një shërbim digjital.
Numri i ankesave na tregon se ka rritje të kërkesave për qasje në dokumente”, shprehet Sogojeva-Dermaku.
Për të lehtësuar qasjen në informata, ajo tha se Agjencia nuk e ka prioritet ndëshkimin e institucioneve, por nxjerrjen e informacionit publik dhe sigurimin që qytetarët të marrin përgjigje brenda afateve ligjore.
Sa i përket masave ndëshkuese, Sogojeva-Dermaku theksoi se gjoba më e lartë e shqiptuar për shkelje në fushën e qasjes në dokumente publike është 13 mijë euro, ndaj Ministrisë së Punëve të Jashtme.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





